E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, spote të posaçme për 7 prioritetet e qeverisjes

Mënyrat e selisë rozë për përcjelljen e mesazheve të saj elektorale. Deri tani është hedhur në transmetim spoti për çështjen e punësimit

Shaban Sulçe
Partia Socialiste pritet të përgatisë dhe të hedhë në transmetim 7 spote elektorale, të cilat do të kenë në epiqendër 7 prioritetet kryesore të programit qeverisës të selisë rozë. Në këto spote të shkurtra televizive do të synohet në mënyrë të qartë dhe të përmbledhur të përçohet mesazhi për zgjidhjet që tenton të ofrojë Partia Socialiste me anë të 7 shtyllave kryesore të programit të saj qeverisës. Deri tani është parë të transmetohet spoti elektoral që ka të bëjë me prioritetin e punësimit, ndërkohë që burime nga Partia Socialiste thanë se janë duke u përgatitur edhe 6 spote të tjera për 6 pikat e tjera të programit. Duket se selia rozë ka zgjedhur spotet televizive si rrugën kryesore për t’i komunikuar elektoratit zgjidhjet dhe çështjet kryesore, të cilat zënë vend në prioritetet e saj qeverisëse.

Prioritetet
Programi qeverisës i Partisë Socialiste është i përqendruar në 7 çështje kryesore, të cilat kanë të bëjnë me arsimin, nxitjen e prodhimit vendas, fshatin, shëndetësinë, mjedisin, turizmin dhe kohezionin social e territorial të vendit. Përmes këtij programi PS-ja synon të vërë në jetë një politikë të re për arsimin, si garanci për integrim e punësim, një politikë të re për nxitjen e prodhimit vendas, si garanci për zhvillim e punësim, një politikë të re për fshatin, si garanci për sovranitetin ushqimor të vendit e punësim. PS-ja synon të vërë në jetë një politikë të re për shëndetin, si garanci për cilësi jete e aftësi për punë, një politikë të re për mjedisin, si garanci për mbrojtjen e pasurive të përbashkëta e zhvillimin afatgjatë të vendit, një politikë të re për turizmin në Shqipëri, si garanci për rritjen e të ardhurave e punësimin si dhe një politikë të re për kohezionin social e territorial të vendit, si garanci për mundësi të barabarta për të gjithë e zhvillim të harmonizuar mes të gjitha rajoneve të vendit.

Spotet
Deri tani vetëm tri kanë qenë spotet televizive të përgatitura nga Partia Socialiste për fushatën elektorale. Në dy spotet e para vihet theksi te dështimi i kryeministrit Berisha për luftën kundër korrupsionit, varfërisë, liberalizimit të vizave etj. Mbi të gjitha vihet theksi edhe te korrupsioni vrastar i Gërdecit, që u mori jetën 26 shqiptarëve të pafajshëm. Me anë të këtyre dy spoteve Partia Socialiste është përpjekur që të transmetojë tek elektorati mesazhin se kryeministri Berisha ka dështuar. Ndërkohë, spoti i tretë i transmetuar deri tani ka të bëjë me prioritetet e programit qeverisës së Partisë Socialiste. Në qendër të këtij spoti është kryesocialisti Edi Rama, i cili flet për 7 prioritetet, por ndalet kryesisht te prioriteti që ka të bëjë me punësimin.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›