Topalli: “PD-ja ka krijuar një klimë pozitive për biznesin”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka nisur takimet me banorët në çdo rrugë dhe në çdo lagje duke biseduar me ta për shqetësimet e tyre. Gjatë takimeve Topalli ka vënë në dukje zhvillimet pozitive në vend në sajë të reformave të qeverisë së PD-së, duke vënë theksin në veçanti në klimën pozitive të krijuar për zhvillimin e biznesit. “Ulja e taksave, licencimi brenda 24 orëve, kanë bërë që bizneset të shtohen vitet e fundit, dhe kjo ka sjellë rritjen e mirëqenies dhe ta ardhurave për familjet tuaja”, - është shprehur Topalli, e cila ka vlerësuar punën e tregtarëve dhe ka garantuar se politika e uljes së taksave do të vijojë dhe taksat për biznesin e vogël nuk do të jenë më shumë se taksa e përgjithshme prej 10 përqindësh. Përfaqësuesit e biznesit kanë shprehur kënaqësinë e tyre për klimën e krijuar, veçanërisht për shmangien e monopoleve dhe lehtësimin e burokracive që kanë bërë të mundur që bizneset e tyre të krijojnë më shumë të ardhura për familjet dhe fëmijët e tyre.
PR-ja prezanton kandidatët për qarkun e Tiranës
Partia Republikane ka organizuar një miting në Tiranë ku ka prezantuar kandidatët për deputetë në këtë qark. Kreu republikan Fatmir Mediu ishte i pranishëm në hapjen zyrtare të fushatës elektorale të Partisë Republikane për qarkun e Tiranës. Në praninë e të gjithë kandidatëve për këtë qark dhe shumë simpatizantëve të kësaj force politike, Mediu iu drejtua të gjithë shqiptarëve, që të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit, të votojnë për të bërë realitet projektet e tyre. “Ju ftoj më datë 28 qershor të shkojmë të gjithë në votime, të realizojmë ëndrrën dhe qëllimin tonë parlamentar, i cili pa dyshim do të jetë kontributi më serioz në Parlament dhe qeverisje, së bashku me demokratët, për të ndërtuar Shqipërinë europiane, për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët të kombit shqiptar ‘Sot në NATO, nesër në BE’”, - nënvizoi Mediu. Më tej Mediu theksoi se gjatë mandatit të dytë qeverisës të së djathtës republikanët do të kërkojnë me insistim zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës. “Ky është një detyrim, mbi të gjitha detyrim për ne si republikanë dhe ne si të djathtë. Zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës është një çështje e së drejtës. Ne kemi përfaqësuar përherë interesat e pronarëve dhe e dimë më mirë se të gjithë se zgjidhja e kësaj çështje do t’i japë rrugë Shqipërisë europiane”, -nënvizoi kreu republikan.
Olldashi premton në komunat e Fierit se do të zhvillohet infrastruktura rurale
Kandidati i PD-së për qarkun e Fierit, Sokol Olldashi, gjatë një takimi që pati në komunat Patos i Sipër dhe Zharrës, premtoi se në mandatin e dytë qeverisës të maxhorancës së djathtë nuk do të ketë distancë më të gjatë se 15 minuta për çdo dalje në akset kombëtare. “Ajo që duam të arrijmë është që çdo qytetar i këtij vendi të dalë nga shtëpia e tij në një aks kombëtar për jo më shumë sesa 15 minuta; kjo do të thotë ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend me një rrjet rrugor jo vetëm nacional, por edhe rrjet rrugor të brendshëm modern dhe europian”, - është shprehur Olldashi. Nga komuna e Zharrës Olldashi premtoi se çdo shtëpi do të ketë ujë dhe infrastrukturë të mirëfilltë urbane. “Në këtë mandat ne kemi përfunduar së ndërtuari ose janë në përfundim e sipër rrugët kryesore të Shqipërisë. Ajo që synojmë të realizojmë në mandatin e dytë qeverisës së Partisë Demokratike është që çdo qendër e banuar të lidhet me një aks kombëtar në trajektoren e vet me të shkurtër”, - tha Olldashi.
10 Qershor 2009