AKKP-ja, nën hetim për 100 ha tokë mbivendosje
Mbivendosja e pronave në bregdet ka vënë nën akuzë zyrtarë ga Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Tiranës dhe punonjës të kadastrës në Hipotekën e Tiranës. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, e cila ka filluar një hetim ndaj Tunxh Vatnikajt, ish-kreu i AKKP-së. dyshohet se në afërsi të komunës Synej në Kavajë janë mbivendosur 100 ha tokë që ndodhet në një zonë turistike. Toka ka qenë në pronësi të vëllezërve Jonuz dhe Nazmi Shijaku. Këta të fundit kanë kryer denoncim në task-forcën kundër krimit ekonomiko-financiar, e cila gjatë hetimeve gati katër mujore ka evidentuar një sërë shkeljesh të kryera gjatë detyrës nga ish- kreu i AKKP-së Vatnikaj. Nga hetimet e kryera, rezulton se Vatnikaj me vendimet e lëshuara nga dora e tij, ka tjetërsuar rreth 100 hektarë tokë truall në bregdetin e Kavajës, në zonën e njohur si plazhi i Gjeneralit në Synej. Këto prona janë tjetërsuar, duke falsifikuar dokumente për qëllime përfitimi. "Nga hetimet e kryera janë ngritur synime të arsyeshme se ish-kreu i AKKP-së më veprimet dhe mos veprimet e tija ka konsumuar elementë të veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës‘, ‘korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike‘ dhe ‘falsifikim të dokumenteve zyrtare me qëllim tjetërsimin e pronës në bashkëpunim‘" thanë nga burimet e akuzës. Të gjitha këto dyshime mendohet se janë kryer gjatë kohës që Vatnikaj ka qenë kreu i zyrës së AKKP-së, për shtatë muaj. Këto hetime, sipas akuzës, kanë bërë që kryeministri Sali Berisha t‘i propozojë Këshillit të Ministrave shkarkimin e tij nga detyra, duke u bazuar edhe në dështimet e herë pas hershme të kësaj agjencie në kompensimin e pronarëve të tokave, qe deri në fund të vitit të shkuar kishte ezauruar vetëm 240 dosje nga 740 të tilla. Burime nga prokuroria thanë se të gjitha vendimet e lëshuara me firmën e ish-kreut tashmë të AKKP-së Vatnikaj, që prej shtatorit të vitit 2008, po kontrollohen imtësisht. Kjo pasi dyshohet se ato janë lëshuar në kundërshtim me ligjet dhe vendimet e Këshillit të Ministrave për kthimin dhe kompensimin e pronave.