E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Berisha të ikë para zgjedhjeve

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, ka kërkuar dje largimin e Kryeministrit Berisha para zgjedhjeve të qershorit. Shkak për përsëritjen e kësaj kërkese nga grupi parlamentar i PS-së është bërë keqqeverisja dhe rritja e nivelit të korrupsionit në të gjithë sektorët kyç të vendit. Në një konferencë për shtyp, numri dy i grupit të socialistëve, duke iu referuar raportit të "Gallup Ballkan Monitor", në bashkëpunim me "Fondin Evropian për Ballkanin", u shpreh se në këto kushte, shqiptarët po detyrohen të zgjedhin largimin nga Shqipëria si e vetmja shpresë për të mbijetuar. Sipas deputetit socialist, shqiptarët çdo ditë dhe më shumë po ngrenë zërin dhe po denoncojnë faktin se Sali Berisha po e ndan vendin në një pakicë gjithnjë e më të vogël shumë të pasur, shumë të lumtur me të ardhurat e saj dhe një shumicë gjithnjë e më të madhe të varfër, të pamundur të gjejë punë, të jetojë me të ardhurat që ka dhe vazhdimisht të vjedhur. Ky gjykim realist, u shpreh Braçe, vjen vetëm në më pak se 160 ditë nga fundi i mandatit shkatërrues për çdo familje shqiptarësh dhe kjo gjendje është edhe arsyeja se pse Sali Berisha duhet të largohet nga drejtimi i vendit. Duke vënë theksin te rritja e nivelit të korrupsionit në vend, Braçe theksoi se korrupsioni po pasuron një klikë të vogël njerëzish, të cilët janë pranë Kryeministrit, duke lënë kështu në harresë pjesën dërrmuese të shqiptarëve. Braçe theksoi se "qeverisja familjare e Sali Berishës ka bërë që 71 për qind e shqiptarëve të gjykojnë kushtet ekonomike të vendit jo të mira. Qeverisja familjare e Sali Berishës ka bërë që standardi i jetesës, cilësia e jetës, për 38 për qind të shqiptarëve të jetë përkeqësuar. Për 25 për qind të jetë e njëjtë dhe vetëm për 36 për qind më e mirë". Sipas Braçes, në lidhje me gjetjen e një vendi pune në Shqipëri, 35 për qind e shqiptarëve mendojnë se është e vështirë, 28 për qind shumë e vështirë dhe vetëm 4 për qind mendojnë se është e lehtë. Për ryshfetin në Shqipëri, 32 për qind e shqiptarëve deklarojnë se u është kërkuar ryshfet nga drejtues të ndryshëm. Braçe tha se të gjitha këto të dhëna dëshmojnë qartë se qeverisja familjare e Sali Berishës vazhdon të na vjedhë rëndë, madje më rëndë se administratat në Serbi, Maqedoni, Mali i Zi, Bosnje, Kroaci, Kosovë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›