E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Triumfi", letër-porosi në Greqi për tre bashkëpunëtorë

Prokuroria e Tiranës ka dërguar një letër-porosi në shtetin grek për identifikimin e tre personave që dyshohen se kanë kryer kontrabandë njerëzish. Hetues të çështjes thanë se të arrestuarit gjatë operacionit "Triumfi" bashkëpunonin me tre persona shqiptarë në Greqi ëpr trafikun e njerëzve. Hetimet kanë nxjerrë në pah se anëtarët e rrjetit të trafikut të klandestinëve dhe të falsifikimit të dokumenteve kanë kryer 15 rrugë drejt shtetit grek. Në këtë vend, sipas hetimeve, ndodhen bashkëpunëtorët e të arrestuarve, të cilët i dërgonin klandestinët në destinacionin e tyre përfundimtar. Hetuesit kanë zbardhur pagesat për çdo person që merrte grupi i trafikantëve. Sipas përgjimeve, vëzhgimeve dhe dëshmive të mbledhura, klandestinët paguanin nga 1-3 mijë euro për person për të shkuar në Greqi. Nëse preferonin të kryenin një rrugë në këmbë në kufirin shqiptaro-grek, klandestinët paguanin njëmijë euro. Por nëse nuk donin që të bënin asnjë metër në këmbë paguanin një shifër që shkonte deri në tre mijë euro. Grupi i trafikantëve i pajiste "klientët" me dokumente të falsifikuara me qëllim që të kalonin në doganë në mënyrë të rregullt. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se grupi ka qenë prej pesë muajsh nën hetim, pas një informacioni të marrë në rrugë operative. Mësohet se të arrestuarit bashkëpunonin edhe me punonjës të ambasadave të huaja në Tiranë. Në këtë kohë janë mbajtur nën vëzhgim një numër të konsiderueshëm personash. Nga të dhënat e përfituara nga teknikat e hetimit, prokurorët e Tiranës firmosën edhe urdhër ndalimet. Kanë arrestuar shumë persona mes të cilëve edhe bashkëpunëtorë. Disa prej bashkëpunëtorëve të grupit kriminal ndodhen aktualisht në shtetin helen. Ata janë identifikuar dhe hetuesit e prokurorisë së Tiranës i kanë dërguar letërporosi homologëve grekë. Disa ditë më parë, antikrimi ekonomik i kryeqytetit dhe njësia e operacioneve speciale, kanë arrestuar 14 persona, pjesëtarë të një rrjeti kontrabandistësh të njerëzve. Operacioni është kryer në disa zona të Tiranës dhe në disa qytete të tjera si: Elbasan Fier, Ersekë, Korçë e Gjirokastër etj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›