E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Edhe 155 ditë, që të çelë e ardhmja

Nismës "Një qytetar - një Pemë", të iniciuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës për të kontribuar në shtimin e përmasës së gjelbër, i janë bashkuar shumë sipërmarrje private. Kjo nismë fton të gjithë komunitetin e Tiranës: Shoqatat jofitimprurëse, agjencitë, bizneset e mëdha dhe të vogla, kompanitë private dhe shoqëritë, qytetarët e komunitetit të Tiranës, për të bashkëpunuar në rritjen e sipërfaqeve të gjelbra, por edhe për të shërbyer në rritjen e vlerave të komunitetit e njëkohësisht në rivitalizimin e tyre. Një bankë private kontribuoi dje me mbjelljen e 100 pemëve, në rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit".

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u shpreh: "unë përsëris sot apelin jo vetëm për bankat, jo vetëm për sipërmarrësit e mëdhenj, por për të gjithë sipërmarrësit, që të kontribuojnë duke mbjellë qoftë edhe një pemë, se kështu mbjellim të ardhmen e kryeqytetit tonë, në një moment historik për Tiranën e për të gjithë vendin, ku vetëm 155 ditë na ndajnë nga ndarja me të shkuarën dhe nga fillimi i një rruge të re, i një të ardhmeje që është mbjellë dhe po çel kudo në Tiranë e do të çelë edhe në të gjithë Shqipërinë". "Një qytetar - një pemë" është një thirrje për veprim, është më shumë se të mbjellësh një pemë, është një lëvizje ku çdo qytetar mund të bëhet pjesë. Kjo nismë është mënyra me kosto më efektive për të ndihmuar qytetin e Tiranës në pastrimin e ajrit, uljen e ndotjes dhe rritjen e cilësisë së jetës, duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›