Anglezin e vranë dhe e hodhën në pus
21-vjeçari anglez Eduard Craythorne u identifikua dje nga nëna e tij në morgun e spitalit të Lezhës, pasi u gjet i hedhur në një pus në fshatin Mal-Shëngjin
LEZHË - Zemra e nënës e kishte parandier fundin tragjik të djalit, ndaj jo vetëm e kishte denoncuar në polici, po dhe në emisionin “Njerëz të humbur” të televizionit “Vizion plus”. Pak orë para se të rikthehej në vendlindjen e tij, Angli, Eduard Craythorne ishte zhdukur. Askush nuk dinte asgjë të saktë për të për plot dy javë, derisa...21-vjeçarit anglez Eduard Craythorne u identifikua dje nga nëna e tij në morgun e spitalit të Lezhës, pasi u gjet i hedhur në një pus në fshatin Mal-Shëngjin. Policia lokale bëri dje të ditur, se anglezi ishte vrarë nga shokët e tij shqiptarë, që dyshohet se e kanë grabitur. Dy të rinj, Mario Pjetrushin, 19 vjeç e Arlind Vukën, 21 vjeç, që të dy lindur e banues në Shëngjin të Lezhës, u vunë në pranga nga policia e lokale, pasi dyshohen si autorë të zhdukjes dhe më pas vrasjes me paramendim të të riut anglez. Sipas hetimeve të deritanishme të grupit hetimor, rezulton se shkak për ekzekutimin e të riut anglez nga dy të rinjtë lezhjanë të jenë bërë lekët që donin t’i merrnin viktimës. Historia e Eduardit u bë për herë të parë publike në emisionin televiziv “Njerëz të humbur”. Gjatë emisionit u bënë shumë telefonata, një ndër tyre ishte edhe Mario, tashmë njëri prej të dyshuarve si autorë. Ai ishte personi i fundit që kishte pasur kontakte me viktimën, por duke qenë se shoqërohej me të rregullisht që nga momenti që anglezi jetonte në Shëngjin, askush, aq më tepër motra dhe e ëma e tij, nuk kanë dyshuar tek ai. Mario Pjetrushi ka rrëfyer me gjakftohtësi një skenar tërësisht të trilluar, për të shtyrë policinë dhe hetimet në një pistë komplet ndryshe. “Datën e 3 shkurtit u takova me Edin në një hotel në Shëngjin, pimë kafe e më pas dolëm në Lezhë. Në kohën kur po shëtisnim, na afrohet një “Benz” i zi dhe prej tij dalin dy djem shqiptarë që flisnin mirë anglisht. Dukej që kishin njohje të vjetra me Eduardin. Më pas e hipën në makinë e ai u largua me ta. Që atë ditë nuk e kam parë më”, - është shprehur vrasësi i tij. Përveç bisedës telefonike të drejtpërdrejtë në emision, stafi i kishte marrë dhe një intervistë paraprake, ku pa iu dridhur qerpiku fare, ai ka ritreguar të njëjtin skenar të trilluar, në kohën kur trupi i “mikut” të tij anglez dekompozohej në ujin e pusit, ku ai së bashku me Vukën, dyshohet tashmë se e kishin futur. E ndërsa të ëmës, Ajlin e motrës së tij, Sofit, u janë bërë pyetje rreth Marios, por ato janë shprehur njëzëri: “Mario është një djalë i mirë”. Por pikërisht me Marion ka kontaktuar e ëma në momentin që ka filluar të merakoset, kur djali i saj nuk po kthehej në shtëpi. E ndërsa ditët kalonin, Mario shkonte çdo ditë në shtëpinë Craythorne për t’i ngushëlluar. Dy ditë më parë, policia e Lezhës mori njoftimin se dy adoleshentë, banorë të fshatit Mal Shëngjin, të tërhequr nga era e rëndë, janë afruar pranë pusit që gjendej në oborrin e një banese të braktisur dhe kanë gjetur një kufomë. Kureshtja e adoleshentëve i ka çuar në zbulimin e trupit të pajetë të seksit mashkull që qëndronte mbi sipërfaqen e ujit në pus. Burime zyrtare nga policia e këtij qyteti bënë të ditur se viktima kishte të çara në kokë, të realizuara me anë të një shufre hekuri. Përveç shufrës, të rinjve vrasës iu gjet dhe byzylyku i floririt që mbante 21-vjeçari anglez. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se në komisariat, gjatë kohës së hetimeve janë marrë në pyetje rreth 40 persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen, mes tyre edhe ish-burri i Sofisë, motrës së viktimës. Eduard Craythorne banonte prej afro tre vitesh në Shëngjin me të motrën e nënën e tij. Ditën që u zhduk, do të nisej përfundimisht drejt Anglisë, ku nuk mundi të arrijë kurrë. Aida Shtino: “Një telefonatë në emision na njoftoi vdekjen” Rasti i Eduard Craythorne është trajtuar gjerësisht në emisionin “Njerëz të humbur” të datës 16 shkurt. Gjatë emisionit, stafi u mor me të gjithë informacionet dhe pistat e mundshme të zhdukjes. Edhe pse shumë të dhëna vinin nga Elbasani, një telefonatë e mbërritur ka dhënë informacionet më të sakta rreth djalit të ri anglez, por informacioni nuk është bërë publik për arsye etike dhe njerëzore, por i ka kaluar menjëherë policisë së Lezhës për verifikim. Sipas drejtueses së emisionit “Njerëz të humbur”, Aida Shtinos, “teksa rasti trajtohej, në mes të emisionit gazetarët morën një telefonatë, e cila zbuloi vendin se ku mund të gjendej djali 21-vjeçar dhe se çfarë mund t’i kishte ndodhur... Por asgjë nuk u bë publike, thjesht për të respektuar etikën profesionale dhe ndjenjat njerëzore të familjarëve, të cilët nuk mund të merrnin një lajm të tillë akoma të pavërtetuar. Informacioni nuk u tha publikisht i plotë dhe iu kalua menjëherë organeve të policisë për ta verifikuar”, - tha dje për “Korrierin” Shtino.