AKSH del në publik
Pjesëtarë të Armatës Kombëtare Shqiptare (AKSH), me uniforma dhe maska, kanë defiluar para një numri të qytetarëve të Drenasit të mërkurën, në shënim të 7-vjetorit të daljes publike.
Në një nga restorantet në Drenas, ku ishin mbledhur shumë qytetarë, kryetari i Frontit për Bashkimin Kombëtar Shqiptar për Kosovë, Ismail Bajraktari tha se pikërisht para shtatë vjetëve “trimat e AKSH-së zbritën nga malet e Kosmaqit për të mbrojtur dhe rikthyer atë që shqiptarëve u është marrë prej shekujsh”. Sot, AKSH, siç tha ai, vepron në mënyrë të rregull me uniformë të re.
“Ka ardhur koha që të publikohet hapur ideali i FBKSH dhe AKSH për ribashkimin e trojeve shqiptare. Do të vazhdojmë deri në fund, derisa të bëhet Shqipëria londineze”, theksoi Bajraktari. Përfaqësuesi i FBKSH nga niveli kombëtar, Sali Bytyçi kritikoi Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tij, nuk ka bërë sa duhet për Kosovën.
Ai shfaqi brengën e tij për atë se Mitrovica ka mbetur e ndarë në dy pjesë, ndërsa kritikoi edhe EULEX-in për arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.