Mjekë australianë kryejnë operacione të komplikuara në QKUK

Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve të QKUK-së, po vazhdojnë operacionet e fëmijëve nga ekipi i mjekëve nga Australia, nën udhëheqjen e prof. Paady Dewan.
Dy ditë e kaluara janë kryer 5 operacione, kurse sot pritet të përfundohen edhe 4 operacione të tjera.
Fëmijët e operuar kanë pasur probleme uro-gjenitale dhe anomali të tjera. Një operacion mesatarisht ka zgjatur 7 orë, njofton QKUK-ja.
Shumica prej këtyre intervenimeve, më herët nuk janë kryer në Kosovë.
“Gjendja shëndetësore e fëmijëve të operuar është e mirë, kurse ata po vazhdojnë të mbahen në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, për t’u mbikëqyrur nga ana e mjekëve”, bëjnë të ditur zyrtarët për informim të QKUK-së.
Përzgjedhja e fëmijëve për operacion është bërë në bazë të rasteve që janë paraqitur për mjekim në gjashtëmujorin e fundit në këtë klinikë, ndërsa ata vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Mosha e fëmijëve të operuar është nga 4 deri në 12 vjeçare.
Në përbërje të ekipit australian, është edhe 1 radiolog dhe 1 anesteziolog. Ekipi mjekësor me vete ka sjellë një sasi të material shpenzues dhe qese urinare.
Ndërhyrjet e mjekëve nga Australia janë kryer me leje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në marrëveshje me Qendrën Klinike Universitare. Ardhjen e mjekëve australianë dhe shpenzimet e nevojshme, i ka mbuluar Komuniteti Shqiptarë i Australisë.
Ardhja e mjekëve nga Australia është realizuar në kuadër të ciklit të gjashtë të bashkëpunimit ndërkombëtar që ka organizuar Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërkohë, të premten, me fillim në ora 9:30, në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës, do të mbahet Simpoziumi Shkencor, ku pjesëmarrës do të jenë ligjërues të njohur ndërkombëtarë dhe profesorë eminentë nga Universiteti i Melburnit në Australi.