Rritet numri i azilkërkuesve
Tremujori i parë i këtij viti është karakterizuar me një rritje të ndjeshme të të huajve që kanë kërkuar strehim në Zvicër, ka bërë të ditur Zyra Federale për Migracion (BFM).
4400 kërkues të rinj azili ose 18 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të një viti më parë janë paraqitur nga 1 janari deri më 31 mars në zyrat për pranim.
Zyra në fjalë konsideron se faktor kryesor për shtimin e madh të kërkesave për strehim është moti i butë që ka mbretëruar gjatë muajit mars dhe trazirat politike në Afrikën e Veriut. Në grupin e të strehuarve nga regjioni i përmendur prijnë ata nga Tunizia, që janë 251 veta, shkruan 20minuten.ch. Tunizianët zënë vendin e tretë për nga numri në listën e azilkërkuesve nga e gjithë bota dhe ata trajtohen me prioritet nga autoritetet e azilit.
Vendin e parë e zënë, ashtu si dhe në vitin paraprak, azilkërkuesit nga Eritrea dhe Nigeria. Numri i nigerianëve që kanë kërkuar azil në Zvicër, ndonëse i zvogëluar për 31.6% krahasuar me vitin e kaluar, mbërrin në 428. Shtetasit e Maqedonisë, me 190 kërkesa azili ose plot 123.5% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, zënë vendin e katërt.
Mungesa e perspektivës sociale dhe ekonomike, konsideron Zyra për Migracion, është faktor kryesor për këtë rritje. Ndër vendet tjera që “rekrutojnë” numër të madh azilkërkuesish në Zvicër, sipas BFM, është edhe Kosova me 141 të tillë gjatë këtij tremujori, Serbia me 187, Afganistani me 171 etj.