Kontradiktori

Njeriu më i përfolur në Kosovë ka folur për orë të tëra edhe të mërkurën. Nazim Bllaca, që veten e quan kriminel, është përgjigjur në pyetjet e avokatëve të të akuzuarit Fahredin Gashi. Ky i fundit akuzohet se më 15 qershor 1999 ka vrarë në shtëpinë e tij Sali Gashin. Sipas deklaratave të Nazim Bllacës dhënë publikisht edhe para trupit gjykues, këtë vrasje e ka kryer Gashi së bashku me Nazim Bllacën.
Por, avokatët të mërkurën shpeshherë e kanë ballafaquar Bllacën me deklaratat e dhëna më herët, që nuk përputheshin me përgjigjet në pyetjet e avokatëve.
Avokati Tahir Rrecaj është ndalur te deklarata e Bllacës në lidhje me xhirimin e DVD-së e që, sipas dëshmitarit, ideja për ta xhiruar atë ishte e Adem Salihajt, ish-deputet dhe anëtar i LDK-së. Mirëpo, avokati Rrecaj ia ka lexuar deklaratën e Bllacës dhënë më 30 nëntor 2009, në të cilën ka deklaruar se ideja për ta bërë një DVD ka qenë e prokurorit të EULEX-it Teo Jacobs. “Me prokurorin jam takuar në zyrën e tij dhe ishte një bisedë e lirë, në të cilën nuk ishin shkruar fjalët në procesverbal. Qëllimi im pse kam pranuar të bëj incizimin ka qenë sepse kam dashur që të mbeten diku këto prova.
Unë në këtë kohë kam qenë në kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të EULEX-it dhe DVD-ja u incizua në shtëpinë e Adem Salihajt, dhe është e arsyeshme sepse ka qenë viktimë e krimeve tona”, ka thënë Bllaca të mërkurën. Por, në deklaratën e dhënë më herët, Bllaca ka thënë se prokurori Jacobs i kishte thënë se duhet të ketë dëshmi për ta akuzuar dikë. Avokati Rrecaj ka thënë para trupit gjykues se dëshmitari është i përgatitur nga prokuroria sepse në deklaratën e dhënë më herët nga Bllaca ishte prokurori Jacobs ai që e kishte quajtur grupin si kriminal. Avokatët e kanë pyetur edhe në lidhje me natën e 15 qershorit të vitit 1999, kur është vrarë Sali Gashi, vrasje kjo për të cilën akuzohet Fahredin Gashi.
Avokatët janë interesuar për distancën në mes të fshatit Pjetërshticë dhe Varigovc, për të cilin Bllaca tha se i ka rrugë në këmbë 30-40 minuta. Por, ata i kanë kujtuar atij se për të shkuar në fshatin Varigovc nga Pjetërshtica duhet ecur dy orë këmbë. Bllaca ka përshkruar detajet e shtëpisë së të vrarit, edhe pse atë natë në shtëpi nuk kishte rrymë. Ai tha se ka mjaftuar një qiri i ndezur të dijë numrin e dhomave të shtëpisë dhe vendin ku është kryer krimi. Bllaca përsëriti se Fahredin Gashi ka shtënë mbi trupin e Sali Gashit.
Avokatët e kanë pyetur Bllacën pse nuk e ka lajmëruar rastin tek UNMIK-u, ndërsa ky ka thënë se ai dhe njerëzit të cilët ka punuar me ta e kanë ditur se shumë njerëz janë vrarë në duart e UNMIK-ut. Avokati Rrecaj e ka pyetur dëshmitarin lidhur edhe me një vrasje tjetër, për të cilën Bllaca ka thënë se e ka kryer Fahredin Gashi. Për këtë vrasje, Bllaca fillimisht e kishte akuzuar Fahredin Gashin, ndërsa më vonë edhe Sadik Abazin. Avokati Rrecaj e ka pyetur se si është e mundur që dy persona të akuzohen për vrasjen e një personi.
Dëshmitari tha se për vrasjen në Kraishtë kanë qenë të përfshirë edhe Gashi edhe Abazi. “Krejt grupi e kemi ditë për vrasjen e Kraishtës”, tha Bllaca. Mbrojtja ka kërkuar që të merren në polici të gjitha denoncimet e bëra nga njerëzit për Nazim Bllacën për mashtrim, falsifikim, reket dhe shantazh.
Në pyetjen e avokatit se a ka ndonjë denoncim në polici nga ndonjë person, Bllaca e ka mohuar këtë. Ai madje tha se që nga viti 1999 e deri në vitin 2008 asnjëherë nuk është ndeshur me ligjin. Por, në këtë rast ai nuk ka harruar të përsëritë se nëse diku figuron emri i Bllacës, aty do të figurojnë edhe shokët e grupit.