Prishtinasit ftohen t’i përgjigjen regjistrimit
Komisioni për regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare i Komunës së Prishtinës, sot, është takuar me udhëheqësit e lartë të Entit të Statistikave të Kosovës, në të cilin takim është diskutuar procesi i regjistrimit të popullsisë në Komunën e Prishtinës.
Komisioni komunal dhe përfaqësuesit e Entit të Statistikave u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Prishtinës, të cilët nuk janë përfshirë në procesin e regjistrimit, të drejtohen në objektin e vjetër të kadastrit, mbrapa objektit të komunës në rrugën “Ilir Konushevci”, ku janë hapur tri zyre dhe është angazhuar personel i mjaftueshëm për t’u ofruar informacione shtesë qytetarëve, për të bërë regjistrimin tyre dhe ekonomive familjare.
Zyrat do të jenë të hapura më datë 14 dhe 15 prill 2011, prej orës 8:00 deri në orën 20:00, andaj ftohen qytetarët të vijë në këto zyra për të qenë pjesë e këtij procesi, njofton Komuna e Prishtinës.
Po ashtu komisioni komunal dhe përfaqësuesit e Entit të Statistikave u bëjnë thirrje qytetarëve të cilët për arsyeje të ndryshme nuk janë takuar dhe kontaktuar nga regjistruesit që t’iu lajmërohen atyre në numrat e telefonave qe kanë lënë në fletët informuese para çdo banese apo shtëpie. Sipas njoftimit, me të kontaktuar regjistruesin e terrenit, ai do të jetë në këto familje brenda 30 min.
Përveç hapjes së tri zyrave në objektin e komunës për informim të qytetarëve janë në dispozicion edhe këta numra të tel: 038/ 233 575; 038/ 245 666 dhe 038/ 245 777.