Konfirmohet aktakuza ndaj tre serbëve nga Artana
Gjykatësi i Procedurës Paraprake nga EULEX, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Horst Proetel, ka konfirmuar aktakuzën për tre serbë të Kosovës nga Artana, pas tri seancave të shtyra, ka njoftuar të mërkurën mbrëma avokati i të akuzuarve për mediet serbe.
Aktakuza kundër vëllezërve Slobodan e Sreçko Martinoviq dhe Svetlan Stojanoviq, është ngritur dhjetorin e vitit të kaluar, me dyshimin se gjatë luftës në Kosovë ata kanë kryer krime lufte kundër civilëve.
Siç theksohet në aktakuzë, të cilën aso kohe e kishte paraqitur prokurorja speciale për krime lufte, Merita Bina Rugova, ata akuzohen për shkelje të rënda të integritetit dhe shëndetit trupor ndaj dy shqiptarëve nga Artana.
Avokati i të akuzuarve, Dejan Vasiq, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, se mbrojtja në seancën e ardhshme do të dëshmojë për pafajësinë e të dyshuarve.
Të tre këta serbë nga Artana akuzohen si të dyshuar për kryerje të krimeve të luftës ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës gjatë vitit 1999. Hetimi ndaj tyre ka nisur nëntorin e vitit 2009, transmeton Zëri.