ALUIZNI, 580 ndërtime të reja rrezikojnë legalizimin
BERAT/ DILAVER XHELILI
OSSH-ja, Drejtoria e Monumenteve, Ndërmarrja e Bordit Kullues si dhe ajo e naftës në Kuçovë, i kërkojnë prefekturës dhe ALUIZNI-t të mos legalizojë ndërtimet e reja. Pak ditë më parë OSSH-ja nisi një shkresë zyrtare për dhjetëra ndërtime informale, të cilat janë në rrezik, pasi ndodhen nën tensionin e lartë. Burime nga ky institucion bënë të ditur se janë 350 ndërtime që ndodhen nën hijen e tensionit të lartë dhe çdo ditë jeta e banorëve është e rrezikuar. Një shkëputje e mundshme e linjës do të krijonte një katastrofë të vërtetë. Mësohet se këto banesa janë vetëdeklaruar për t'u legalizuar, por OSSH-ja tashmë kërkon të merren masa për të evituar tragjedi të mundshme. Edhe Drejtoria e Monumenteve të Beratit ka kërkuar nga ana e saj moslegalizimin e ndërtimeve të paligjshme në zonën muzeale. Burime nga kjo drejtori bënë të ditur se janë 50 banesa, të cilat janë ndërtuar në zonat muzeale, duke prishur sistemin e kësaj pjese të rëndësishme të qytetit turistik. Po të njëjtën kërkesë pranë zyrës së ALUIZNI-t ka bërë edhe Ndërmarrja e Bordit Kullues. Kjo ndërmarrje kërkon që asnjë prej 130 ndërtimeve të evidentuara prej saj të mos legalizohet, duke argumentuar se këto banesa rrezikohen nga përmbytjet, pasi ato janë ndërtuar mbi kolektorët e kanaleve. Burime nga ALUIZNI dhe prefektura bënë të ditur se të njëjtën kërkesë ka paraqitur edhe ndërmarrja e Q.P.N-së në Kuçovë. Mësohet se janë 50 banesa të ndërtuara shumë pranë puseve. Shpërthimet e mundshme nga rrjedhjet e gazit të puseve rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve të kësaj zone, të cilët kanë ndërtuar jashtë çdo kriteri. Këto banesa janë ndërtuar pak metra larg puseve të naftës, ndërkohë që po shihet mundësia nga kompani të huaja për shfrytëzimin e tyre. Burime nga prefektura u shprehën se në shkallë qarku janë 7555 ndërtime zyrtare, objekte të vetëdeklaruara, nga të cilat janë dhënë tapi për 140 prej tyre. Ndërkohë, kërkesa e katër institucioneve të mësipërme drejtuar ALUIZNI-t përjashton nga procesi i legalizimit 580 banesa. Ende nuk konfirmohet nëse kjo kërkesë do të merret parasysh apo nëse procesi i legalizimit nuk do t'i diferencojë as këto ndërtime, ndonëse banorët e tyre janë në rrezik.