Vilat, sa do të paguhet për tokën
Subjektet që kanë vila në bregdet dhe do të legalizohen sipas këtij ligji, do të paguajnë tokën, sipas vendimit të Qeverisë të datës 26 nëntor të vitit 2008, nr. 1620, vendim i cili ka përcaktuar edhe hartën e vlerës së tokës në zonat bregdetare. Referuar hartës së tokës, çmimi minimal në zonën e bregdetit, deri në 200 metra nga bregu, do të jetë 12 mijë lekë të vjetra. Kështu, në Komunën e Golemit, në fshatrat Golem, Kryemadhaj e Qerret, në zonën e plazhit deri në 200 metra nga deti, do të paguhet 12 mijë lekë për metër katrorë, rreth 120 dollarë. Vija bregdetare e zonës së Durrësit, deri në 200 metra nga deti, do të paguhet me 30 mijë lekë për metër. Nga ana tjetër, zonat e Komunës Ishëm, ku ndodhen disa fshatra si Lalëz, do të paguhet 19 mijë lekë për metër katrorë. Zona e plazhit deri në këtë largësi do të paguhet me të njëjtën vlerë edhe për Bashkinë Manëz. Kjo hartë e përgatitur nga AKKP-ja do të merret si referencë për çmimin që do të paguajnë subjektet e prekura.