E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI: “Ja ndërtimet që nuk do të legalizohen në qarkun e Beratit”

Zonat muzeale, të ndoturat dhe banesat mbi kolektorë, stop legalizimit. Gabimet që u bënë në fazat e para të aplikimit në qarkun e Beratit
BERAT – Me qindra aplikime për legalizim banesash nuk do të pranohen në qarkun e Beratit, pasi ato janë ndërtuar mbi zonat muzeale, zonat e ndotura, mbi kolektorë apo zona guroresh. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga drejtori i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale në qarkun e Beratit, Aleksandër Melonashi, në një intervistë për gazetën, i cili ka pohuar se deri tani ka qenë një kaos urbanistik. Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së një plani rregullues për t’iu përgjigjur bumit të ndërtimeve nga ana e qytetarëve. Drejtoria e ALUIZN-it në qarkun e Beratit ka bërë edhe identifikimin dhe studimin e 7555 dosjeve të ndërtimeve pa leje të deklaruara nga pronarët që deri tani konsiderohen të paligjshme. Pjesa më e madhe e këtyre ndërtimeve ndodhen në Bashkinë e Beratit, në Bashkinë e Kuçovës, në aksin rrugor Berat-Kuçovë si dhe në dy komunat më të mëdha të rrethit të Kuçovës; Perondi dhe Kozarë.
Zonat e legalizuara
Drejtori i ALUIZN-it, Aleksandër Melonashi, shprehet se aktualisht në qarkun e Beratit janë deklaruar gjithsej 7555 ndërtime pa leje që presin legalizimin, ndërkohë që ky institucion ndodhet në përpunimin tekniko-ligjor të zonave informale, bllok-banimeve informale dhe ndërtimeve të veçuara në bashki dhe në komuna. Sipas drejtorit Melonashi, deri tani janë të miratuara në KKRT-të e Këshillit të bashkive e komunave si dhe KRRTRSH vetëm 3 zona informale: ajo e Uznovës në Bashkinë e Beratit dhe dy zona informale në Bashkinë e Kuçovës. Melonashi ka pohuar se në këtë kuadër është plotësuar dokumentacioni tekniko-ligjor për 2500 objekte dhe pas funksionimit të hartave dixhitale ajrore, bashkitë dhe komunat janë pajisura me material hartografik, i cili do të ndihmojë mjaft procesin e legalizimit dhe do ta përshpejtojë atë. Por edhe pse dokumentacioni për legalizimin e 2500 objekteve është konsideruar i plotë, nga verifikimi i dosjeve të paraqitura për legalizim, specialistët e ALUIZNI-t të qarkut të Beratit kanë konstatuar se atyre u mungon planimetria. Melonashi shprehet se po përgatitet një ndryshim i ligjit dhe me miratimin e këtij ligji, i cili është përcjellë në Parlament, do t’i hapet përfundimisht “drita jeshile” fillimit të procesit të legalizimit.
Zonat e ndaluara
“Nuk do të ketë legalizim të 64 ndërtimeve pa leje në zonat muzeale”. Kjo ka qenë deklarata e prerë e drejtorit Melonashi. Pas dorëzimit të kërkesës nga Drejtoria Rajonale e Institutit të Monumenteve, tashmë është bllokuar puna për ligjërimin e tyre. Vitin e kaluar, Policia Ndërtimore e Beratit prishi disa prej këtyre banesave, pasi ndodhen në pjesën me vlera tradicionale të qytetit të lashtë. Dosja e Beratit është dorëzuar në UNESCO dhe pritet që edhe ky qytet, ashtu si Gjirokastra, të hyjë në listën e trashëgimisë kulturore botërore.
Përveç këtyre ndërtimeve, do të përjashtohen nga legalizimi edhe banesat e ndodhura në zonat e ndotura; si ajo e ish-Uzinës së Baterive në Berat dhe zona e prodhimit të naftës në Kuçovë, zonat në shtretërit e lumenjve, zonat mbi kolektor, zonat ku kryejnë aktivitetin minierat e guroreve dhe ndërtimet mbi diga

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›