E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, per vonesen e nje certifikate humbet pronat

Historia ku për një certifikatë ankuesit ngelën pa pasuri. Sipas Avokatit të Popullit, punonjësja ka kryer dy vepra penale
Laureta Rryçi

Tiranë - Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i ka kërkuar prokurorit të Tiranës të nisë hetimet për një punonjëse të Gjendjes Civile. Sipas rekomandimit që ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës, punonjësja Valbona Barushi ka konsumuar dy vepra penale, atë të shpërdorimit të detyrës si dhe të falsifikimit të akteve të Gjendjes Civile. Gjithçka ka nisur pas ankesës së dy qytetarëve që kishin humbur pasurinë që u takonte me trashëgimi pikërisht për shkak të kësaj punonjëseje. Sipas tyre, Barushi jo vetëm nuk i ka pajisur me certifikatën që u duhej, por ka falsifikuar duke favorizuar palën tjetër. Prokuroria ka nisur hetimet vetëm pak ditë më parë për këtë çështje, për të zbardhur nëse qëndrojnë apo jo akuzat e ngritura jo vetëm nga qytetarët, por të konstatuara edhe nga komisionarët e zyrës së Avokatit të Popullit.
Rekomandimi
Pak ditë më parë, në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur një material disafaqesh. Avokati i Popullit, nëpërmjet rekomandimit, i kërkon institucionit të Akuzës fillimin e hetimeve ndaj nëpunëses së Zyrës së Gjendjes Civile të Prefekturës së Qarkut Tiranë, Valbona Barushi, për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe të “falsifikimit të akteve të Gjendjes Civile”, parashikuar nga neni 191/2 i Kodit të Procedurës Penale. Bashkëlidhur me rekomandimin, komisionarët kishin përgatitur dhe edhe provat shkresore, të cilat, sipas tyre, provonin veprat penale të përshkruara më sipër. Ndërkohë, të njëjtin rekomandim Dobjani ia ka dërguar dhe Zyrës së Gjendjes Civile të Prefekturës së Qarkut Tiranë.
Ankesa
Elmaz Ahmetaj dhe Bilal Ramaliu kanë depozituar vetëm pak kohë më parë ankesën e tyre në institucionin e Avokatit të Popullit. Ata shprehnin shqetësimin e tyre lidhur me mospajisjen nga Zyra e Gjendjes Civile të Prefekturës së Qarkut Tiranë me certifikatë negative martese për të ndjerën Meleqe Ramaliu me të ndjerin Asllan Ramaliu. Ankuesit shpjegonin se certifikata negative për të ndjerën Meleqe Ramaliu nuk i jepet nga ana e nëpunëses së Zyrës së Gjendjes Civile të Prefekturës së Qarkut Tiranë Valbona Barushi me pretendimin se e ndjera Meleqe Ramaliu rezulton në aktin e vdekjes së Asllan Ramaliut, si e veja e tij në bazë të një vendimi të mëparshëm të gjykatës. Të njëjtin pretendim ka ngritur zyra edhe kur është pyetur nga komisionarët e Avokatit të Popullit. Sipas ankuesve, nga mosdhënia e certifikatës së kërkuar atyre u janë shkaktuar dëme të konsiderueshme, sepse janë përjashtuar padrejtësisht si trashëgimtarë ligjorë të trashëgimlënësit Asllan Ramaliu dhe se Meleqe Ramaliu ka përfituar padrejtësisht trashëgimi prej tij, për arsye se ajo nuk ka qenë gruaja e trashëgimlënësit Asllan Ramaliu.

Punonjësja

Edhe pas rekomandimit të Avokatit të Popullit, punonjësja e Zyrës së Gjendjes Civile nuk reagoi për dhënien e certifikatave të cituara më sipër. Qëndrimi i nëpunëses së Zyrës së Gjendjes Civile ndaj ankuesve, duke mos lëshuar certifikatat përkatëse të martesës apo atë negative në lidhje me martesën e shtetases Meleqe Ramaliu me shtetasin Asllan Ramaliu nuk është korrekt dhe ligjor. Ankuesve iu është mohuar e drejta kushtetuese dhe ligjore e informimit dhe e shërbimit nga organet e administratës publike, pjesë e të cilës është edhe Zyra e Gjendjes Civile të Prefekturës së Qarkut Tiranë. Këto të drejta janë të parashikuara dhe të garantuara respektivisht nga neni 23 i Kushtetutës, neni 3 i ligjit nr. 8503, dt. 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare” dhe neni 56 i ligjit nr. 8950, datë 10.10.2002 “Për gjendjen civile”, i ndryshuar. “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve ose mosveprimeve në kundërshtim me ligjin që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës nga punonjësi i ngarkuar me funksion shtetëror ose shërbim publik, kur u ka sjellë pasoja të rënda interesave të ligjshëm të shtetasve ose shtetit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet”, - thuhet në rekomandim. Në rastin konkret, sipas Dobjanit, janë cenuar rëndë këto marrëdhënie juridike, sepse është cenuar veprimtaria normale e institucionit të shërbimit të gjendjes civile, kryerja e shërbimeve ndaj shtetasve, dhe, në të njëjtën kohë janë shkelur rëndë të drejtat dhe interesat e ankuesve për shkak të mosveprimit të shtetases Valbona Barushi, duke mos dhënë certifikatën e kërkuar prej tyre.

Historia

Ankuesit sqarojnë se kushëriri i tyre, i ndjeri Asllan Ramaliu, ka vdekur në vitin 1944 dhe në vitin 1945 është bërë regjistrimi i aktit të vdekjes së tij në Shqipëri në bazë të një vendimi gjyqësor të Gjykatës Popullore Tiranë. Më pas, me Vendimin nr. 427 datë 5.07.1958, të Gjykatës Popullore Tiranë, është bërë korrigjimi i akt-vdekjes së Asllan Ramaliut. Në këtë vendim, me të cilin është bërë korrigjimi i aktit të vdekjes së shtetasit Asllan Ramaliu, figuron se Asllan Ramaliu ka qenë i martuar me Meleqe Ramaliun. Ky vendim është regjistruar në anën e majtë të fletës së regjistrit në të cilin pasqyrohet akti i vdekjes së shtetasit Asllan Ramaliu. Gjithashtu ankuesit pretendojnë se nëpunësja e Gjendjes Civile, Valbona Barushi, më datën 31.05.2006 ka lëshuar një certifikatë vdekje në emër të shtetasit Asllan Ramaliu, me nr. serie 372 1021605. Sipas tyre, kjo certifikatë është false, sepse pasqyron një fakt të pa qenë, atë të martesës së shtetasit Asllan Ramaliu me shtetasen Meleqe Ramaliu. Nga certifikatat që kanë vënë në dispozicion ankuesit dhe konkretisht, certifikata e martesës e lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile të Bashkisë Tiranë, më dt. 18.07.06, rezulton se shtetasja Meleqe Ramaliu ka qenë e martuar me shtetasin Halil Bushati, data e martesës së tyre është 22.01.1954. Sipas kësaj certifikate, rezulton se shtetasja Meleqe Ramaliu ka qenë e ç’kurorëzuar dhe jo e ve?! Në se ajo do të kishte qenë e martuar me Asllan Ramaliun, pas vdekjes së tij dhe në momentin e lidhjes së martesës me shtetasin Halil Bushati, do të ishte e ve dhe se ky fakt do të pasqyrohej në certifikatën e martesës me këtë të fundit. Edhe në qoftë se ajo ka qenë e martuar me shtetasin Asllan Ramaliu dhe më pas është shkurorëzuar me të, atëherë ajo nuk mund të jetë trashëgimtare ligjore e tij.

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›