Hollbruk, serbëve: “Nëse doni luftë me Kosovën, do të keni luftë me NATO-n”
Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Riçard Hollbruk, e ka konsideruar vendimin e Kosovës për shpalljen e pavarësisë të nevojshëm dhe të pashmangshëm. Sipas Hollbruk, Kosova nuk përbën precedent për vende të tjera dhe rusët, kinezët dhe vendet e tjera e dinë mirë këtë. Ai e ka cilësuar rastin e Kosovës unik duke thënë se ajo që ndodhi në këtë vend ishte plotësisht e autorizuar si rrjedhim i Rezolutës së Këshillit të Sigurimit Nr. 1244 që krijon një situatë unike. Hollbruk ka shtuar se në asnjë mënyrë serbët nuk duhet të nisin luftën për Kosovën, pasi nëse do ta bënin do të hynin në luftë në NATO-n. Ndërsa ambasadori Frenk Uisner, i cili gjatë negociatave për Kosovën ka qenë i dërguari i SHBA-ve, është shprehur se asnjë territor në botë, asnjë grup etnik, nuk ka patur këtë profil si Kosova, vrasje në masë, ndërhyrje ndërkombëtare, Rezolutë të KS-së, administrim nga OKB-ja. “Të gjitha këto e bëjnë Kosovën rast unik dhe jo precedent”,-tha Uisner. Ai paralajmëron Serbinë të ecë në rrugën europiane duke theksuar se edhe Rusia do të ishte e interesuar për një Ballkan të qëndrueshëm.
25 Shkurt 2008