Gjendet në Portin e Durrësit peshkatari i mbytur një muaj më parë
DURRËS – U zhduk në ujërat pranë Kavajës një muaj më parë, por dallgët e kanë çuar trupin e pajetë të peshkatarit në afërsi të Portit të Durrësit. Kufoma është gjetur dje paradite në ujërat e portit më të madh të vendit. Burime zyrtare nga policia e Durrësit thanë se “trupi i pajetë i përket peshkatarit Faik Idrizi, 55 vjeç, nga fshati Karpen i Kavajës”. Peshkatari amator konsiderohej i humbur prej gati një muaji, kur ai kishte dalë për peshkim në kushtet e detit të trazuar, në brigjet pranë fshatit të tij. Sipas të njëjtit burim, shokët e 55-vjeçarit gjetën varkën e tij një ditë pas ngjarjes. Megjithë kërkimet disaditore, ku morën pjesë dhe polumbarë të forcave të RENEA-s, trupi i tij u gjet dje, në afërsi të Portit të Durrësit, rreth 15 milje në veri të fshatit Karpen. Pak ditë më parë u gjet në brigjet e Currilave edhe një peshkatar tjetër i mbytur disa javë më parë në qytetin e Durrësit.
25 Shkurt 2008