E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti, letër Topallit: Të ndihmojmë familjen Xhindi



Kushtet e vështira ekonomike të familjes së ish-deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, kanë bërë që ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti t’i dërgojë një shkresë kryeparlamentares Jozefina Topalli. Në këtë shkresë ministri ka shprehur shqetësimin se familja e ish-deputetit Xhindi është në kushte të vështira ekonomike, pasi ka një kredi shtëpie për të shlyer dhe fëmijët e tij janë në vazhdim të studimeve. Duke vlerësuar këto kushte, Prifti ka kërkuar që shteti t’i vijë në ndihmë kësaj familje sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që t’u lehtësohet situata. Ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetares së Kuvendit Topalli, e cila i është drejtuar Kryeministrit me një propozim. Ajo ka kërkuar që shlyerja e kredisë së strehimit për familjen Xhindi të bëhet nga ana e Qeverisë, në mënyrë që ana ekonomike e familjes së ish-deputetit të lehtësohet sadopak. Letra e ministrit Prifti dhe propozimi i kryeparlamentares për ndihmë ndaj familjes së ish-deputetit Xhindi vjen pas më shumë se 10 muaj nga vrasja e këtij të fundit. Aktualisht vazhdojnë hetimet për zbardhjen e kësaj vrasje dhe Prokuroria hetoi në disa pista për shkak të detyrës, konflikte personale, probleme pronash. Familjarët kanë protestuar vazhdimisht, duke kërkuar zbardhjen e çështjes dhe duke këmbëngulur se ngjarja ka motive politike. Në analizën e fundvitit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kjo u quajt si një nga vrasjet më të rënda të pazbuluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›