“Hiqini gradat, dekoratat dhe titujt Enver Hoxhës”
TIRANE – Kërkohet heqja e gradave, titujve dhe dekoratave të ish-diktatorit Enver Hoxha të lëshuara nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor. Kërkesa i është dorëzuar ditën e djeshme Presidentit të Republikës Bamir Topi nga Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës. Me anë të një njoftimi për shtyp QSHRT pohoi dje se: “Kjo kërkesë merr shkas nga takimi i organizuar më datë 10 mars 2010 në Presidencë mes kreut të shtetit dhe drejtorit të QSHRT-së zotit Adrian Kati, të cilit iu pranua mirëkuptimi për një kërkesë të tillë. Në këtë takim, Zoti Topi, pasi dëgjoi me vëmendje mendimet e shprehura nga bashkëbiseduesit, i siguroi ata rreth vullnetit dhe predispozicionit të plotë personal dhe institucional ndaj shqetësimeve të tyre, duke u sugjeruar që të ngrenë zërin dhe të ndjekin të gjitha rrugët dhe procedurat e ligjshme institucionale me synim përmbushjen e kërkesës së tyre”. Më tej thuhet se në mbështetje të kërkesës, kreut të shtetit i është paraqitur edhe rezoluta “Për dënimin e krimeve të Komunizmit”, e aprovuar nga Parlamenti në vitin 2006 me iniciativën e QSHRT-së dhe Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve Politikë. Në pikën 8 të kësaj rezolute thuhet se: “Kuvendi i Shqipërisë dënon ish-diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Evropën Lindore, që çoi në izolimin dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhëna atij dhe bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist”. QSHRT pohon më tej se sipas dijenisë së tyre rezulton që Enver Hoxha mban titujt dhe dekoratat “Heroi i Popullit”, “Heroi i Punës Socialiste”, “Heroi i Popujve të Jugosllavisë”, “Heroi i Popujve të Bashkimit Sovjetik”, si dhe disa të tjera që pritet të verifikohen. Sipas tyre do të ishte e drejtë dhe e moralshme për shqiptarët që Hoxha të zhvishej nga të gjitha këto në prag të 20 vjetorit të rrëzimit të bustit të tij nga kryeqyteti shqiptar. Në fund të njoftimit për shtyp thuhet se klasa politike shqiptare deri tani nuk ka qenë në gjendje ta gjykojë dhe dënojë Hoxhën për krime të kryera botërisht nën dirigjimin dhe përgjegjësinë e tij personale si dhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë e partisë që drejtonte. fa.ma.