Kompania amerikane, ortake me shoqërinë që çmontonte në Gërdec
Kompania shqiptare “Albademil”, 25 për qind në pronësi të amerikanëve. Vendimi Nr. 138 i qeverisë nuk zbatohet për fabrikën që shpërtheu
Erald Kapri
Pavarësisht se kompania amerikane “Southern Ammunition Company Inc” kishte deklaruar se kishte mbaruar detyrimet në Shqipëri dhe nuk kishte të bënte fare me fshatin Gërdec, duket se ka diçka që mban lidhur amerikanët dhe shqiptarët në këtë histori. Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, kompania shqiptare “Albademil” kur është regjistruar në vitin 2006 zotërohej 75 për qind nga pronari shqiptar Mihal Delijorgji dhe 25 për qind nga amerikanët e “Southern Ammunition”. Mbas largimit të amerikanëve në dhjetor të vitit 2007 nga çmontimi në Gërdec, procesi i demontimit u mor përsipër nga kompania shqiptare me anë të një kontrate të re. Amerikanët e “Southern Ammunition” u shfajësuan nga tragjedia e Gërdecit, por ata rezultojnë bashkëpronarë në kompaninë shqiptare, e cila kishte përsipër të çmontonte predha të një kalibri të madh. Ndonëse kompania shqiptare ishte nënkontraktore me amerikanët në kontratën e parë të cilët nuk çmontonin municion të artilerisë së rëndë, shqiptarët morën përsipër të çmontojnë pikërisht atë që kompania motër amerikane dhe aksionere e përbashkët nuk mund ta bënte dot.
Vendimi
Vendimi i qeverisë i vitit të kaluar parashikon detyrimet e ministrit të Mbrojtjes në lidhje me shitjen për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve. Qeveria kishte përcaktuar se Ministria e Mbrojtjes, në funksion të reduktimit të stoqeve të vjetëruara të municioneve të kalibrit të vogël, të nxjerra nga përdorimi e armatimi, mund të realizojë shitje për qëllim çmontimi dhe çmilitarizimi. Sipas vendimit, ky proces përfshin shitjen e municionit, mbikëqyrjen e procesit të çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve dhe të nënprodukteve të rrjedhura prej tyre. Nga ana tjetër, Komisioni i Miratimit të Çmimeve, në Ministrinë e Mbrojtjes, përcakton çmimin për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim. Në përcaktimin e çmimit për këtë kategori municionesh komisioni mban parasysh edhe koston për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve për elemente të tilla, si investimi, koston faktike të punës së bërë, metodën e përdorur, ndikimin në mjedis etj, si dhe vlerën e nënprodukteve të përfituara nga çmontimi e çmilitarizimi i municionit. Procedurat e shitjes së municionit për çmontim dhe çmilitarizim kryhen nga ndërmarrja “MEICO”, në bazë të kontratave. Në lidhjen e kontratave me subjekte të ndryshme të mbahen parasysh: përvoja e ofertuesit në fushën e armatim-municioneve, kapacitetet teknike, lloji i teknologjisë së përdorur në procesin e çmilitarizimit e çmontimit, afatet, ndikimi në mjedis, respektimi i masave të sigurisë gjatë procesit të çmilitarizimit e të çmontimit dhe çmimet e miratuara në këtë vendim. Vendimi përcaktonte se procesi i çmilitarizimit e çmontimit të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave të Armatosura, duke regjistruar me hollësi të dhëna për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe të atyre të çmontuara e të çmilitarizuara, si dhe të produkteve të tyre, pas çmontimit dhe çmilitarizimit. Detyrimet e mësipërme duket se nuk janë zbatuar, si p.sh.elementët e sigurisë apo mbikëqyrja e demontimit. Qeveria ka përcaktuar se lëndët eksplozive dhe plasëse të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, që nuk kanë asnjë vlerë tregu dhe përdorimi, asgjësohen.
Kontratat
Municioni luftarak në repartin e Gërdecit nuk ka qenë i destinuar të shkatërrohej totalisht. Një pjesë e tij ka qenë i përcaktuar të shitej në tregjet e huaja. Kjo duket si një dyshim i fortë pasi është parë si një kusht i përcaktuar në kontratën e nënshkruar mes shoqërisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” dhe asaj shqiptare “Albademil” sh.p.k. Në kontratën e parë që mban datën 6 qershor 2007 thuhet se kompania amerikane “Southren Ammunition Company” do të merrte përsipër asgjësimin e fishekëve të kalibrit 7.61X54 milimetra të sasisë prej 100 milionë copë. Fishekë të kalibrit 12.7 milimetra 20 milionë copë si dhe fishekë të kalibrit 14.5 milimetra dhe këto 20 milionë copë. Në kontratë ishin përcaktuar se nga 100 milionë fishekë të kalibrit 7.62 dhe 54 milimetra do të përfitoheshin 448 mijë dollarë. Për 20 milionë fishekë të kalibrit 12.7 milimetra, shuma e përfituar është 514 mijë dollarë. Për 20 milionë fishekë të kalibrit 14.5, shuma e përfituar do të ishte 640 mijë dollarë. Shuma totale e fituar nga firma që do të çaktivizonte këto municione do të ishte 1 milion e 611 mijë dollarë. Në kontratë thuhet që pagesat do të kryheshin për çdo muaj pas dorëzimit të municioneve në fabrikën e Gërdecit në Vorë. Transportimi i municioneve deri në fabrikën e Gërdecit ishte marrë përsipër nga firma shtetërore “MEIKO” dhe ky territor do të ishte në shërbim të firmës amerikane deri në fund të kontratës. Gjithë procedurat e asgjësimit dhe të çaktivizimit të municioneve do të bëheshin nën masa të forta sigurie sipas të gjitha të dhënave teknike.
Detyrimet e ministrit të Mbrojtjes në procesin e shitjes dhe demontimit të armëve
Ministri i Mbrojtjes, nëpërmjet një komisioni të posaçëm, përcakton kategorizimin e kontigjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive, të hequra nga armatimi e përdorimi, sipas qëllimit të trajtimit, të përcaktuara në vendim duke pasur parasysh kohën e prodhimit, gjendjen faktike të tyre, kërkesat e tregut dhe leverdinë ekonomike. Mënyra e funksionimit të komisionit përcaktohet me rregullore të miratuar nga ministri i Mbrojtjes. Ministria e Mbrojtjes mund të lidhë marrëveshje teknike ndërkombëtare me subjekte shtetërore apo donatorë të ndryshëm, të cilët investojnë për shkatërrimin dhe asgjësimin e armëve e të municioneve stoqe, të trashëguara nga e kaluara e të hequra nga përdorimi e armatimi. Ministria e Mbrojtjes mund të asgjësojë e të shkatërrojë edhe nëpërmjet strukturave të veta armë, teknikë, pajisje, municione, lëndë eksplozive, të nxjerra nga armatimi dhe përdorimi, me fondet buxhetore të vëna në dispozicion, si dhe me fonde të donatorëve. Masa e përfitimit të ndërmarrjes “MEICO”, për kryerjen e procedurave të shitjes, në interes të Ministrisë së Mbrojtjes, përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Financave.
Shitjet për skrap përcaktojnë detyrime të veçanta
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar se kur armët, teknika, pajisjet e Forcave të Armatosura nuk mund të shiten për qëllime ushtarake ose joushtarake, ato i nënshtrohen procesit të çmilitarizimit dhe çmontimit dhe shiten për skrap. Ky proces duhet të bëhet me ankand. Procedurat kanë parashtruar edhe disa detyrime të blerësit të armëve për skrap. Vendimi përcakton që blerësi të jetë i regjistruar pranë autoritetit shtetëror të kontrollit të import-eksportit të mallrave ushtarake e atyre me përdorim të dyfishtë në vendin e origjinës si importues, eksportues apo ndërmjetësues, duke paraqitur dokumentin përkatës zyrtar si dhe deklarimin e përdoruesit të fundit ose një dokument tjetër lejues për import nga autoriteti shtetëror i kontrollit të import-eksportit të mallrave ushtarake e atyre me përdorim të dyfishtë të vendit të importuesit. Leja për eksportin e mallrave është e përcaktuar sipas këtij vendimi të vitit të kaluar nga qeveria.
Tregtia e armëve, qeveria vendosi kriteret e shitjes dhe çmimet
Qeveria përcaktoi vitin e kaluar kushtet dhe detyrimet e Ministrisë së Mbrojtjes për armët, teknikën, pajisjet, municionet, lëndët eksplozive të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, që do të shiten për përdorim ushtarak. Pas heqjes nga armatimi e përdorimi, armët, teknika, pajisjet, municionet dhe lëndët eksplozive të Forcave të Armatosura u nënshtrohen vlerësimit dhe përcaktimit të çmimit të tyre për shitje. Në Ministrinë e Mbrojtjes, me urdhër të ministrit, krijohet komisioni i miratimit të çmimeve, me ekspertë të fushave përkatëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ekspertë të financës, juristë, ekonomistë e të tjerë. Shitja e armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të Forcave të Armatosura realizohet nëpërmjet ndërmarrjes “MEICO”, e cila zbaton çmimet e miratuara. Armët, teknika, pajisjet, municionet dhe lëndët eksplozive, të kërkuara për përdorim ushtarak, pas negociimeve i shiten kërkuesit më të parë, duke realizuar një çmim sa më të lartë, por jo më të ulët se çmimi i miratuar. Kësaj procedure i nënshtrohet edhe shitja e pjesëve të këmbimit të armëve. Pas heqjes nga armatimi e përdorimi, armët, teknika, pajisjet dhe municionet e Forcave të Armatosura mund të shiten për qëllime muzeale, koleksioni apo për përdorim tjetër civil, vetëm pasi të çmilitarizohen, pra të bëhen të paefektshme si armë. Procedurat e çmilitarizimit përcaktohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes dhe udhëzim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Amerikanët e “Southern Ammunition”: ”Nga Gërdeci ikëm në janar”
Përfaqësuesit e firmës amerikane “Southern Ammunition Company” deklaruan se ata nuk kanë qenë të përfshirë në operacionin e fundit në fshatin Gërdec për çmontimin e municioneve. Të kontaktuar nga “Zëri i Amerikës”, përfaqësues të kësaj kompanie me qendër në Karolinën e Jugut shpjeguan se kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë ishte lidhur në prill të vitit 2007 për të çmontuar municione të kalibrit të vogël dhe kishte përfunduar në dhjetor të 2007-s. Kontrata, sipas tyre, përfshinte vetëm dhënien e pajisjeve dhe jo transportin ose personel dhe vetëm për çaktivizimin e municionit të kalibrit të vogël. Zyrtarët e firmës thonë se aktiviteti i tyre është zhvilluar në fshatin Gërdec, aty ku ndodhi shpërthimi i së shtunës. Sipas zyrtarëve të kësaj firme, një operacion i dytë, që filloi në janar të vitit 2008, për çmontimin e municioneve me kalibër të madh, nuk përfshinte kompaninë “Southern Ammunition”. Ndërkohë, sipas burimeve nga Shqipëria ekziston një kontratë e dytë me kompaninë “Southern Ammunition” e nënshkruar nga pronari i saj, Patrick Henry, në dhjetor të vitit 2007, që përfshin edhe çmontimin e municionit me kalibër të madh. E kontaktuar sërish për këtë informacion, firma “Southern Ammunition” nuk pranoi të bëjë komente të mëtejshme.
VENDIM
Nr.138, datë 14.3.2007
PËR PROCEDURËN E TRAJTIMIT TË ARMËVE, TEKNIKËS DHE PAJISJEVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, TË HEQURA NGA ARMATIMI DHE PËRDORIMI
Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7 të Nenit 14 të Ligjit Nr. 8671, datë 26.10.2000, "Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Për trajtimin e armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, të zbatohen këto procedura:
I. Për armët, teknikën, pajisjet, municionet, lëndët eksplozive të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, që do të shiten për përdorim ushtarak.
1. Pas heqjes nga armatimi e përdorimi, armët, teknika, pajisjet, municionet dhe lëndët eksplozive të Forcave të Armatosura u nënshtrohen vlerësimit dhe përcaktimit të çmimit të tyre për shitje. Në Ministrinë e Mbrojtjes, me urdhër të ministrit, krijohet komisioni i miratimit të çmimeve, me ekspertë të fushave përkatëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ekspertë të financës, juristë, ekonomistë e të tjerë.
2. Shitja e armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të Forcave të Armatosura realizohet nëpërmjet ndërmarrjes “MEICO”, e cila zbaton çmimet e miratuara në pikën 1 të këtij vendimi.
3. Armët, teknika, pajisjet, municionet dhe lëndët eksplozive, të kërkuara për përdorim ushtarak, pas negocimeve i shiten kërkuesit më të parë, duke realizuar një çmim sa më të lartë, por jo më të ulët se çmimi i miratuar në pikën 1 të këtij vendimi.
19 Mars 2008