Tragjedia e Gërdecit, ndihmë 6 miliardë lekë nga fondi i emergjencave
Ministria e Financave shpjegon masat e dëmshpërblimit. Qeveria premton kompensim 100 për qind të dëmeve
Ervin Koçi
Ministria e Financave, pas një vendimi të posaçëm të qeverisë, do të vendosë në dispozicion të përballimit të emergjencës në fshatin Gërdec, një shumë prej 6 miliardë lekësh. Kjo shumë, e cila do të lëvrohet nga fondi i emergjencave që ka në dispozicion qeveria, do të shërbejë edhe për të dëmshpërblyer qytetarët dhe bizneset e zonës të prekura nga shpërthimi i ditës së shtunë 15 mars 2008. Sipas zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, i cili ka bërë publik lajmin në fjalë, “qeveria do të vërë në dispozicion fondin e emergjencës, fondin rezervë dhe atë të kontingjencës të parashikuar në buxhetin e shtetit për vitin 2008”. Sipas Shehut, fillimisht do të përdoret një shumë prej rreth 6 miliardë lekësh dhe më pas do të lëvrohen fonde të tjera, në varësi të ndihmës që do të jepet nga donatorët e huaj, qytetarët e thjeshtë dhe bizneset në vend. Numri dy i Financave, Sherefedin Shehu, ka deklaruar gjithashtu se “do të kompensohen tërësisht për dëmet e pësuara edhe bizneset e zonës”. Madje, sipas tij, puna do të nisë pikërisht me aktivitetet private, me qëllim kthimin sa më shpejt të normalitetit dhe aktiviteteve jetike në zonën e prekur nga fatkeqësia.
Mbështetja e parë
Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka sqaruar dje edhe detaje nga masat e para të ndihmës që qeveria nisi të lëvrojë menjëherë sapo ndodhi ngjarja e Gërdecit. Sipas Shehut, shpenzimet e përkohshme të akomodimit të familjeve të prekura po përballohen nga fondet e emergjencës civile që kanë qenë të miratuara në buxhetin e shtetit dhe administrohen nga Ministria e Brendshme. Ndërkohë, sipas Shehut, “Ministria e Financave po përgatitet për të gjetur burimet e nevojshme financiare që do të përdoren për kompensimin e të prekurve nga tragjedia”. Përveç fondit të emergjencës, do të përdoret fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe fondi i kontingjencës, i cili në buxhetin e shtetit është për të përballuar risqe të ndryshme në procesin e zbatimit të tij. “Në total është një shumë prej 6 miliardë lekësh, që nga vlerësimet paraprake mendojmë se do të mjaftojnë për të përballuar situatën”, - tha Shehu.
Ndihmat humanitare
Ndihma të ndryshme humanitare në veshmbathje dhe ushqime do të vijnë edhe nga organizma ndërkombëtare humanitare për banorët e prekur nga fatkeqësia e Gërdecit. Sipas zëvendësministrit të Financave, Shehu, “shumës së dhënë ndihmë nga qeveria, pritet t’i shtohen dhe donacione të shteteve të ndryshme dhe organizmave të rëndësishme financiare me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie dhe u ka kërkuar ndihmë. Qeveria ka bërë sensibilizimin e tyre dhe ka marrë përgjigje pozitive”. Sipas drejtuesve të Ministrisë së Financave, deri tani kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar me fonde Banka Botërore, Komisioni Europian dhe qeveritë Perëndimore, përfshi këtu atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas numrit dy të Financave, një tjetër element i rëndësishëm është ndihma që do japin qytetarët dhe biznese të ndryshme në numrat e llogarive të qeverisë që nga sot janë të hapura në të gjitha bankat e nivelit të dytë. “Të gjithë individët, kudo ku janë, mund të derdhin kontributin e tyre në çdo rreth të Shqipërisë apo dhe jashtë vendit. Të gjitha kontributet që do të derdhen në këto llogari do të menaxhohen nga sistemi i Thesarit në një llogari të përqendruar në Bankën e Shqipërisë. Përsa i përket përdorimit të kontributeve, ndihmat do të bashkohen me fondet e qeverisë shqiptare dhe përdorimi i tyre do të bazohet në procedura të shkruara, do të jetë transparent, i hapur dhe do të përfshijë edhe përfaqësues të palës së dëmtuar”, - tha Shehu. Ai shtoi se, “qeveria, pavarësisht nga fajet dhe fajtorët, ka marrë përsipër kompensimin 100 për qind të dëmeve në këtë zonë”. Ndërkohë, zëvendësministri ka ritheksuar se çdo informacion do të jetë lehtësisht i kontrollueshëm dhe tërësisht transparent dhe pjesëmarrje të përfaqësuesve të donatorëve dhe të dëmtuarve në procesin e vendimmarrjes për kompensimin. Numrat e llogarisë që qeveria ka hapur në bankat e nivelit të dytë gjenden të publikuara edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Financave në adresën www.minfin.gov.al
19 Mars 2008