E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Berisha dhe Mediu të dorëzojnë imunitetet”

Kryetari i PS-së ngarkon me përgjegjësi kryeministrin për tragjedinë. Rama kërkon hetimin e Berishës dhe të ish-ministrit të MbrojtjeS
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si shkaktarin kryesor të tragjedisë së Gërdecit. Rama ka kërkuar gjithashtu që kryeministri Berisha si dhe ministri i Mbrojtjes, tashmë i dorëhequr Fatmir Mediu, të dorëzojnë imunitetin e deputetit për t’u hetuar nga Prokuroria si shkaktarët kryesorë të kësaj tragjedie. “Ne duam dorëheqjen dhe imunitetin e deputetëve Sali Berisha e Fatmir Mediu jo me deklaratat për gjoja gatishmëri për të mbështetur hetimet, por me votim në Kuvendin e Shqipërisë”, - deklaroi Rama në një konferencë për shtyp.
Akuzat
Kryetari i PS-së vijoi të akuzojë kryeministrin Berisha se nuk mund të shmanget nga përgjegjësia për tragjedinë, duke u justifikuar në daljet e tij në konferenca për shtyp. “Kryeministri i Shqipërisë u tha shqiptareve dhe shqiptarëve se e pranon dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, a thua se edhe mund të mos pranonte, ndërsa unë sot i përsëris në emër të të gjithë shqiptarëve se ne nuk e pranojmë për kryeministër dhe ai duhet të na japë dorëheqjen, jo justifikimet e patolerueshme të një fatkeqësie që nuk është natyrore, por politike, që nuk e kemi nga Zoti, por nga ata që kanë marrë votën për të na dalë zot, që nuk mund të mbulohet siç po mbulohet numri i viktimave e që nuk mund të tolerohet pa dalë e plotë përgjegjësia morale, politike e ligjore, siç janë toleruar plot bëma e gjëma familjare, të shkaktuara nga papërgjegjshmëria e politikës së vjetër”, - tha Rama.
Braçe
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi se PS-ja është e vendosur të kërkojë zbardhjen përfundimtare të tragjedisë së Gërdecit. Braçe tha gjithashtu se ekzistojnë prova dhe materiale, të cilat nxjerrin në pah implikimin e zyrtarëve të lartë të qeverisë në trafikun e armëve.
“Ne jemi të vendosur të kërkojmë deri më një hetimin e kësaj çështjeje dhe daljen e së vërtetës deri në fund si një vepër e rëndë kriminale me pasojë vrasjen dhe që ka në thelb të saj korrupsionin dhe trafikun e armëve. Disponojmë prova të plota për trafikun e armëve nga Shqipëria dhe që implikon nivelin më të lartë zyrtar të qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, - tha Braçe. Deputeti socialist e ka quajtur ngjarjen e Gërdecit si një krim të pastër, të shkaktuar nga aferat korruptive të zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare. “Për të arritur te pika tjetër e kontratës ku ngarkohet “MEICO” dhe ky është dhe krimi më i rëndë, të përgatisë dhe të japë lejet për punëtorët, me qëllim që ata të hyjnë në këtë zonë ushtarake. Më thoni si ka mundësi që kjo agjenci shtetërore, siç është “MEICO” nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, ministrit e kabinetit të qeverisë së kryeministrit Berisha, të japë leje për fëmijë 12-vjeçarë për të hyrë në ambiente ushtarake?! Kjo është një tjetër përgjegjësi kriminale. Nisur nga të gjitha këto, do të doja të konkludoja që ngjarja e Gërdecit është një krim i pastër, që ka sjellë si pasojë vrasjen e dhjetëra njerëzve, plagosje të disa qindra njerëzve dhe shkatërrim të pasurisë private në një territor shumë të gjerë, që kap vlerën e miliona-miliona eurove. Ngjarja e Gërdecit është produkt i drejtpërdrejt i korrupsionit dhe i një prej përbërësve më të rëndësishëm të korrupsionit, trafikut të armëve”, - tha Braçe.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›