E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “LSI-ja insiston për dorëheqjen e Berishës”

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, konfirmoi qëndrimin e palëkundur të LSI-së për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha si shkaktari kryesor i tragjedisë së Gërdecit. Prifti tha se dorëheqja e Berishës do të çtensionte situatën dhe do të shërbente për të nxjerrë në dritë të vërtetën e kësaj tragjedie. “Lëvizja Socialiste për Integrim këmbëngul në domosdoshmërinë e dorëheqjes së Sali Berishës si përgjegjësi kryesor për tragjedinë e shkaktuar në Gërdec të Vorës dhe i kërkon forcave të tjera opozitare dhe shoqërisë civile të mbështesin kërkesën tonë në mënyrë që t’i hapet rruga një hetimi të drejtë, të paanshëm dhe aq shumë të nevojshëm”, - tha nënkryetari i LSI-së. Ai u shpreh se është mjaft e qartë përgjegjësia e qeverisë në tragjedinë e ndodhur. “Përgjegjësitë janë vertikale dhe ato fillojnë nga kreu i qeverisë, z. Sali Berisha, i cili ka firmosur vendimin e qeverisë për të lejuar aktivitetin kriminal të Gërdecit. Qeveria ka detyrë kushtetuese të garantojë sigurinë në vend, të garantojë jetën e popullit të saj, të garantojë zbatimin e ligjeve, standardeve të sigurisë dhe punës, për të mos lejuar aktivitete të rrezikshme në zona të banuara apo skena skandaloze të punësimit të minorenëve në mes të barutit e predhave shumëkalibërshe. Këtë përgjegjësi, Sali Berisha nuk mund t’ia heqë vetes, nuk mund ta fshehë.
Prandaj një akt civil dorëheqjeje nga Sali Berisha do të dëshmonte përgjegjësi politike dhe morale, do të ndikonte ndjeshëm në çtensionimin e situatës në vend, do t’i hapte rrugë një procesi hetimor të pa ndikuar politikisht dhe të drejtë, duke rritur në këtë mënyrë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe klasës së saj politike”, - vijoi deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Më tej, Prifti ka kërkuar bërjen transparente të pasojave reale të tragjedisë, ndërkohë që i bëri thirrje edhe presidentit të Republikës Bamir Topi që të reagojë institucionalisht. “LSI-ja mendon se në kushtet e një qeverie të papërgjegjshme dhe antipopullore, e cila dhe ditën e zisë e shpalli nën presion dhe me shumë vonesë, z. Bamir Topi si kryetar i Shtetit të marrë përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese për normalizimin e situatës, për të dalë jashtë formave deklarative mediatike që në thelb synojnë të fshehin përgjegjësitë e qeverisë”, - tha nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›