Bello: “Grup i pavarur hetimor për zbardhjen e tragjedisë”
Deputeti i Partisë Socialiste Marko Bello kërkoi që për zbardhjen e tragjedisë të Gërdecit të ngrihet një grup i pavarur hetimor. “Propozoj ngritjen e një grupi të pavarur hetimor, ku të përfshihen edhe ekspertë të pavarur ndërkombëtarë”, - tha Bello. Deputeti socialist shprehu shqetësimin për ngadalësimin e procesit hetimor, ndërkohë që kërkoi nga kryeprokurorja Ina Rama që ta kryejë punën e saj në mënyrë profesionale dhe jashtë ndikimeve politike. “Janë dyshime serioze se mafia ka shtrirë duart në mënyrë të frikshme deri në majat më të larta të shtetit. Situata është serioze, por jo pa rrugëdalje. Ftoj publikisht prokuroren Ina Rama të kuptojë se është përpara një misioni historik dhe të demonstrojë aftësi profesionale, integritet moral dhe paanshmëri politike”, - tha ai.
Republikanët: ”Do të jemi në qeveri me post ministror”
Nënkryetari i Partisë Republikane Neritan Alibali u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se republikanët do të kenë një ministër të ri në kabinetin qeveritar, por që ende nuk është vendosur. Duke vlerësuar ish-ministrin Mediu si dhe duke ngushëlluar familjet e viktimave, Alibali u shpreh se Kryesia e Partisë Republikane ka mbështetur vendimin e kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu, për të dalë nga kabineti. “Pozicioni i Partisë Republikane në qeverisjen e vendit është i njëjtë, konstant dhe i pandryshuar, si forca më e madhe politike e maxhorancës, pas Partisë Demokratike. Për këtë arsye, përgjegjësia jonë politike për të ardhmen e vendit është e madhe”, - tha Alibali.
Dita e Zisë Kombëtare, Topalli shtyn seancën
Konferenca e Kryetarëve, me kërkesë të të gjithë kryetarëve të Grupeve Parlamentare, në respekt të ditës së zisë kombëtare, vendosi në mënyrë unanime që seanca e ditës së djeshme të shtyhet për ditën e sotme në të njëjtën orë, 17:00. Kryeministri Sali Berisha e shpalli ditën e djeshme Ditë Zie Kombëtare në respekt të viktimave të shpërthimit në fshatin Gërdec të Vorës. Po ditën e djeshme, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një takim me ambasadoren e Zvicrës në Tiranë, Yvana Enzler, të cilën e njohu me zhvillimet e fundit mbi tragjedinë e Gërdecit, duke theksuar se i rëndësishëm tashmë është pastrimi i territorit dhe kthimi i banorëve në shtëpitë e tyre.
19 Mars 2008