E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikimi, nëpunësja e Gjendjes Civile para Drejtësisë për herë të dytë

Prokuroria e Tiranës çon në Gjykatë dosjen për shtetasen Arta Danaj

TIRANË – Sërish e pandehur nëpunësja e Gjendjes Civile, Arta Danaj. Pas procesit të dy viteve më parë, ku Danaj u deklarua e pafajshme nga ana e Gjykatës së Tiranës për “shpërdorimin e detyrës” dhe pas hetimit për lëshimin e certifikatës së falsifikuar për Altin Arapin, Danaj edhe këtë herë është hetuar për disa muaj nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Hetimi
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për Arta Denaj dhe ka depozituar dosjen në Gjykatën. Në përfundim të hetimeve që kanë nisur më datë 30.04.2009 pas kallëzimit të bërë nga shtetasi B. Z. Sipas kallëzimit, ky person pretendon se nga ana e nëpunësve të zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në Tiranë, kanë ndryshuar gjendjen civile të tij në regjistrin themeltar. Këtë fakt ai e ka mësuar pas lirimit të tij nga burgu, më datë 18.02.2005, dhe kur janë bërë shënimet në regjistër ai ka qenë duke vuajtur dënimin në burg.
Për këtë fakt janë kryer hetimet e nevojshme nga ku rezultoi se në datën 18.02.2005, pranë zyrës për informimin qytetar në Njësinë Bashkiake Nr. 7 Tiranë është paraqitur babai i kallëzuesit, shtetasi S. Z., i cili ka pretenduar se djali i tij e ka autorizuar të kryejë veprimet pranë kësaj zyre për të bërë ndarjen e tij nga trungu familjar. Ai ka plotësuar formularin përkatës si përfaqësues i B. Z. duke pretenduar se për këtë gjë kishte prokurë nga i biri. Më pas, kërkesa e protokolluar i ka shkuar nëpunëses të zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Bashkiake Nr.7, së pandehurës Arta Danaj, e cila 6 ditë më pas ka përpiluar procesverbalin nr.52, sipas të cilit është pranuar kërkesa e B. Z. për ndarjen nga trungu familjar. Ky procesverbal është nënshkruar dhe nga babai i B. Z. në emër të tij dhe ai ka nënshkruar njëkohësisht dhe si person madhor i familjes dhe më pas janë kryer veprimet në regjistër, duke e veçuar B. Z. nga trungu familjar.
Lidhur me nënshkrimin në emër të B. Z. në këtë procesverbal është kryer akti i ekspertimit grafik, sipas të cilit kërkesa e datës 18.02.2005 është plotësuar nga S. Z. dhe jo nga kallëzuesi B. Z., kurse nënshkrimi në procesverbal dhe në kërkesë është hedhur nga S. Z. Sipas prokurorisë, të gjitha veprimet e Arta Danajt janë në kundërshtim me Ligjin Nr. 8950, datë 10.10.2002 “Për Gjendjen Civile”, ku përcaktohet: ”Çdo pjesëtar i familjes ka të drejtë të veçohet si familje më vete...”. Kjo dispozitë flet qartë se ky është një veprim që kryhet me vullnetin dhe prezencën e vetë personit që kërkon të veçohet. Në rastin konkret vërtetohet plotësisht se këto veprime janë kryer me kërkesën e babait të kallëzuesit, pa prezencën dhe vullnetin e tij dhe në këto kushte veprimet e Arta Danajt janë në kundërshtim me ligjin.

Precedenti
Për herë të parë emri i Arta Danajt ka dalë në skenë në vitin 2003, ku ajo u shoqërua në Policinë e Tiranës për të dhënë shpjegime mbi falsifikimin e certifikatës së Altin Arapit. Pikërisht në nëntor të vitit 2003 ajo u dyshua se kishte falsifikuar një certifikatë të Arapit, njeriu i akuzuar për vrasjen e shoferit të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Bëhet fjalë për certifikatën me anë të së cilës Arapi është pajisur me pasaportë në nëntor të vitit 2002. Certifikata ishte regjistruar me identitet të rremë, me emrin Petrit Bejzade. Por, në atë kohë, Danaj u la sërish e lirë për mungesë provash dhe deklaroi se nuk ishte në dijeni të këtij problemi. Por, vetëm 5 vite më pas ajo u arrestua nga Policia e Tiranës me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, duke lëshuar një certifikatë të falsifikuar për një emigrante që ndodhej në Greqi. Pas dërgimit të çështjes në Gjykatë, Danaj mori pafajësi, pasi nuk kishte prova të mjaftueshme për të provuar fajësinë e saj.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›