Dixhitalizimi i shërbimeve, ngrihet Task-Force mes Ministrinë së Drejtësisë dhe asaj të Estonisë
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, priti dje në një takim të veçantë ministrin e Drejtësisë së Republikës së Estonisë, Rein Lang, me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në sistemin e Drejtësisë, por edhe atë ekonomik. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë pohuan se ministri Nishani i kërkoi homologut të Estonisë mundësinë e bashkëpunimit dhe asistencës në dixhitalizimin e pasurive të paluajtshme.
“Dixhitalizimi i këtij shërbimi dhe i shërbimeve të tjera është shpëtimi i vetëm nga korrupsioni“, - u shpreh ministri Nishani.
Të dy ministrat ranë dakord të ngrenë një strukturë bashkëpunimi Task-Force mes ministrive të dy vendeve, me qëllim forcimin e bashkëpunimi në fushën e sistemit teknologjik dhe shkëmbimit të informacioneve në fushën e regjistrimit të pasurive. "Konkluduam për ngritjen e një Task-Force për marrjen e përvojës nga Estonia në mënyrë që ato t'i implementojmë si hapa të rëndësishëm që do të lehtësojnë shërbimin ndaj qytetarit, ngushtojnë hapësirën për korrupsion si dhe do të japin një stad të rëndësishëm punonjësit të administratës publike”, - tha ministri Nishani pas takimit me homologun e tij estonez. Pas takimit dy ministrat dhanë një konferencë për shtyp në të cilën ministri i Drejtësisë së Republikës së Estonisë, Rein Lang, deklaroi se “qeveria e Estonisë mbështet Shqipërinë në procesin për liberalizimin e regjimit të vizave dhe futjen sa më të shpejtë të saj në BE”.
Prokuroria kërkon 21 vite burg për Elvis Gurrën
Përfaqësuesi i Akuzës kërkoi dje ndëshkimin me 21 vite burg të Elvis Gurrës, që akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Gurra akuzohet për një ngjarje të ndodhur në maj të vitit 2008 në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet, ku mbetën të plagosur rëndë Roland Domi dhe Çlirim Goroshjani. Në seancën e djeshme, prokurori i çështjes, Endrit Bimi, kërkoi për të pandehurin 20 vite burg për akuzën e “vrasjes në rrethana të cilësuara” dhe tre vite burg për akuzën tjetër të armëbajtjes pa leje. Në bashkim të dënimeve, të pandehurit t’i mbeteshin për të vuajtur 20 vite burg. Në seancë e radhës u vendos të dëgjohej fjala e fundit e avokatit dhe më pas trupi gjykues i Gjykatës së Tiranës të japë verdiktin e tij. Ngjarja ka ndodhur pranë restorantit “Pirro Mani”, ku sipas prokurorisë, Elvis Gurra ka qëlluar me armë kundrejt dy personave, të cilët kanë mbetur të plagosur. Sipas burimeve mësohet se të dy personat që ishin pre e atentatit me armë ndodheshin në automjetin “Benz”, me targë TR 13 80 L. Uniformat blu, që mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shoqëruar për në spital dy të plagosurit. Fillimisht nuk ishin bërë verifikimet e personave, por më pas burime policore konfirmuan se ishin Roland Domi dhe Çlirim Koroshani. Po të njëjtat burime thanë se objekt i qitjes me automatik ka qenë Domi, pasi edhe të shtënat kanë qenë në krahun e shoferit, ndaj dhe ky i fundit është në gjendje të rëndë shëndetësore. Çlirim Koroshani, personi tjetër i ndodhur në automjet, ka marrë plagë më të lehta. Pas hetimeve, policia ka mundur të identifikojë si autorë të ngjarjes Elvis Gurrën.
12 Mars 2010