Regjistroi një familje në Bashki me dokumente false, ndiqet penalisht nëpunësja
DURRËS - Regjistroi me dokumente të falsifikuara një familje në Bashkinë Manëz, ndiqet penalisht nëpunësja e Gjendjes Civile dhe shtetasja që ka përfituar nga falsifikimi. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se ka nisur hetimin në gjendje të lirë ndaj shtetases F. S., nëpunëse e Gjendjes Civile në Bashkinë Manëz. Procedimi penal ndaj saj filloi për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” pasi dyshohet se në vitin 2000, duke qenë në detyrën e punonjëses së Gjendjes Civile të Bashkisë Manëz, ka regjistruar, në bazë të dokumenteve të falsifikuara në këtë bashki, familjen e shtetases S. D. Policia njofton se u sekuestruan në cilësinë e provës materiale praktika e aplikimit për pension në DRSSH Durrës e shtetases S. D., si dhe ajo e regjistrimit pranë Bashkisë Manëz.
Gjithashtu bëhet e ditur se ka nisur dhe një hetim për shtetasen S. D. Procedimi penal ndaj saj filloi për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe falsifikimit të akteve të gjendjes civile pasi dyshohet se në vitin 2003 ka paraqitur pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Durrës dokumente të falsifikuara për të përfituar pension si punonjëse e administratës shtetërore. Po kështu, nga verifikimet e kryera rezulton se në vitin 2000 familja e kësaj shtetaseje është regjistruar në zyrën e Gjendjes Civile të Bashkisë Manëz me dokumente të falsifikuara.
Grushte në zyrën e gjyqtarit, konflikti mes avokatit dhe palës kundërshtare
Një ngjarje e pazakontë ndodhi dje në zyrën e gjyqtarit Sokol Tona. Pikërisht në një moment kur gjyqtari la zyrën për të përfunduar disa punë që kishin lidhje me procesin gjyqësor, ajo që nuk duhej të ndodhte ngjau për pak minuta. Palët të vëna përballë në një proces penal janë konfrontuar. Fillimisht zënka ka nisur me fjalë fyese për të përfunduar në grushte. Sipas burimeve nga Gjykata bëhet e ditur se pala paditëse në proces ka fyer dhe sharë rëndë avokatin e palës së paditur, L. Dingo. Ky i fundit nuk ka duruar dot. Në pak minuta zyra e gjyqtarit është kthyer në arenë ndeshjeje. Avokati ka humbur durimin dhe ka qëlluar me grusht në fytyrë palën paditëse, e cila përfaqësohej nga avokati Gentian Mete. Duke qenë se ngjarja ka ndodhur në pak minuta dhe palët janë larguar nga zyra e gjyqtarit me ardhjen e policisë, nuk mundëm të mësonim dot emrin e personit që u godit nga avokati. Pas kësaj ngjarje alarmi ka qenë i menjëhershëm. Të parët që reaguan ishin policët e togës së shoqërimit. Por, këta nuk kishin të drejtën e shoqërimit, por të ndërhyrjes për të shuar konfliktin e momentit. Më pas, nga ana e gjyqtarit është lajmëruar policia, e cila ka marrë avokatin Dingo dhe personin që provokoi sherrin për ta shoqëruar në komisarit. Pas ngjarjes u munduam të pyesim për të mësuar më saktësisht për atë që ndodhi, por askush nuk ishte në gjendje të fliste. Tashmë ngjarja ka kaluar në prokurori për hetime të mëtejshme.
12 Mars 2010