E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI, gati lista e 200 pronarëve që do kompensohen

Lista e parë e ish-pronarëve të truallit që u është zënë nga ndërtimet pa leje pritet të shkojë javën e ardhshme në qeveri për t’u miratuar. Zyrtarët e ALUIZNI-t konfirmojnë për gazetën se mbi 200 ish-pronarët e parë, që janë verifikuar nga punonjësit e terrenit, do të jetë të parët që do të miratohen. Në të njëjtën kohë, ALUIZNI ka gati të dhënat për 200 mijë leje legalizimesh që do të jepen gjatë këtij muaji. Dhënia e lejeve të legalizimit do të shoqërohet njëkohësisht me hartimin e listës së ish-pronarëve të truallit. Ligji i ri i miratuar në Kuvend shprehet se pas miratimit nga qeveria të listës së ish-pronarëve, brenda tri muajve, Agjencia e Pronave do të kompensojë fizikisht ose financiarisht ish-pronarin e truallit. Procesi pas 15 shtatorit do të marrë një rrjedhë tjetër. Ky afat lidhet edhe me kushtin ligjor që kishte pushteti vendor për të vërë verifikimet. Pas kësaj date, situata është në dorën e ALUIZNI-t. Zyrtarët e ALUIZNI-t shprehen se lejet e legalizimit do të ndahen pas kësaj date.

Kompensimi

Sipas ligjit të legalizimeve të miratuar në Kuvend, Këshilli i Ministrave miraton brenda një afati prej 30 ditësh të gjithë listat e ndërtimeve informale. Sipas parashikimeve, Agjencia e Legalizimeve do të përpilojë të gjithë listën e ish-pronarëve, ku në tokën dhe truallin e tyre është ndërtuar pa leje. Të dhënat paraprake tregojnë se një e treta e ndërtimeve pa leje janë mbi tokë private të personave të tretë, ndërsa pjesa tjetër janë mbi tokë shtetërore, si dhe mbi tokë private. Aktualisht numërohen mbi 200 mijë ndërtime informale të deklaruara, nga të cilat rreth 80 mijë janë ndërtuar mbi truallin e personave të tretë, të cilët do të përfitojnë dëmshpërblim. Hartimi i kësaj liste, që parashikohet të jetë rreth 80 mijë ish-pronarë, do të kalojë në Këshillin e Ministrave. Më pas, qeveria brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, do të miratojë listën, duke ia kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila do të dëmshpërblejë brenda këtij viti të gjithë këta ish-pronarë. Zyrat rajonale të agjencisë së Pronave kompensojnë subjektet brenda tri muajve, në përputhje me vendimin e qeverisë për shpërblimin e pronarëve, çka do të thotë që brenda këtij viti, ish-pronarët do të kompensohen fizikisht ose financiarisht. Për efekt të përllogaritjes së sipërfaqes së parcelës ndërtimore, të zënë nga ndërtimi informal, që kompensohet, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qark e trajton atë si truall, në përputhje me metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme, që kompensohet, pra sipas hartës së vlerës së tokës. Procesi i legalizimit do të mbledhë edhe një shumë të caktuara parash, të cilat do të ndahen për ish-pronarët, që toka e tyre është zënë për ndërtime informale. ALUIZNI ka saktësuar vlerat që do të paguajnë pronarët e banesave informale në procesin e legalizimit. Krahas fondit financiar për kompensim do të ketë edhe fond fizik, i cili do të përbëhet nga tokat e lira juridike, por pjesa që do të mbetet do të jetë kompensim financiar, që do të merret nga paratë e legalizimeve dhe buxheti i shtetit. Çdo qytetar i përfshirë në procesin e legalizimit dhe në rast se nuk është dakord me vendimin e njësisë së qeverisjes vendore apo ALUIZNI-t, që refuzon të pranojë dokumentacionin, atëherë mund të paraqesë ankimim administrativ pranë zyrës përkatëse të bashkisë apo komunës. Procedura e ankimit administrativ zbatohet edhe për vendime të drejtorive përkatëse të ALUIZNI-t, sipas ligjit të ankimit administrativ.

Formularët që duhet të plotësohen për legalizimin

ALUIZNI ka përcaktuar tri formularë, të cilët duhet të plotësohen nga pronarët e ndërtimeve pa leje. Pagesa për plotësimin e tyre do të kushtojë 4 mijë lekë të reja, që banorët do të paguajnë, nëse duhet të përfshihen në procesin e pagesës së banesave. Formulari i parë është i lidhur me tarifën e shërbimit për legalizim. Kjo vlerë që paguhet është e pandryshueshme, pavarësisht nga sipërfaqja e ndërtimit, numrit të kateve apo destinacionit të përdorimit të objektit apo shtesës informale. Formulari i penaliteteve parashikon pagesa për ato familje, që kanë bërë shtesa të tjera, duke bërë që kjo shumë të llogaritet nga ALUIZNI. Likuidimi i penaliteteve do të bëhet për llogari të njësive të qeverisjes, brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e penalitetit për legalizim. Ndërsa për subjektet apo dhe shoqëritë ndërtuese, të cilat kanë paguar sanksione të mëparshme për shkelje të lejes së ndërtimit, nga vlera totale do të zbritet vlera e paguar më parë. Taksa tjetër, që do të përfshihet në një formular të veçantë, është ajo e ndikimit në infrastrukturë. Ajo llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për m², publikuar nga Enti i Banesave, sipas nenit 14/2, të ligjit “Për procedurat e privatizimit të banesave të blera me fondin shtetëror nga EKB-ja. Nga vetë ky përcaktim i bie që taksa të jetë shumë e rëndë për xhepat e banorëve, që do të legalizojnë shtëpitë e tyre. Afati për pagimin e kësaj takse është 30-ditor. Në rast se nuk paguhet, subjektet do t’i nënshtrohen penaliteteve, gjobitjes që rrjedhin nga mosshlyerja në kohë e kësaj takse vendore. Shuma që do të përfitohet do të shkojë në arkat e bashkive dhe të komunave, të cilat do t’i përdorin financimin e studimeve urbanistike dhe përmirësimin e infrastrukturës në këto zona.

Si do të paguhet për të legalizuar ndërtimin

ALUIZNI ka përcaktuar se ata qytetarë që do të paguajnë brenda 1 viti vlerën e legalizimit për shtëpinë e tyre, do të kenë 10 për qind ulje në çmim, ndërsa ata që do ta paguajnë menjëherë vlerën, do të kenë një zbritje 20 për qind të çmimit. Njëkohësisht mënyra e tretë për të shlyer pagesën e një ndërtimi pa leje, është likuidimi me këste ose nëpërmjet sistemit të kredisë. Ndërkohë, kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 3 mijë lekë. Sipas ligjit, pronari i ndërtimit pa leje që në momentin që i legalizohet banesa ka 3 vjet afat për ta paguar atë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë, do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe, prona regjistrohet në Hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa. Qytetarët që do të marrin titujt e pronësisë, nuk do të kenë nevojë të prodhojnë dokumente pronësie, si harta, gen-plane, planimetri, sepse dokumentacioni i pronësisë i dhënë nga ALUIZNI është në përputhje me të gjitha kriteret e duhura ligjore. Gjithashtu, dokumentacioni i pronësisë është i disponueshëm në dy versione, versionin manual dhe atë elektronik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›