E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i adresave, të dhënat mbyllen më 30 shtator

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, ka mbledhur ditën e djeshme përfaqësues nga i gjithë pushteti lokal me qëllim mbylljen e procesit të të dhënave për sistemin e adresave brenda datës 30 shtator. “Deri më datë 30 shtator do të dorëzohen të gjitha të dhënat, ndërsa fillimi i dhjetorit është afati për përfundimin e fazës së parë për këtë sistem”, - u shpreh zëvendësministri Poni gjatë këtij takimi. Në lidhje me këtë proces, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, para pak ditësh ka lëshuar urdhrin për miratimin e rregullores dhe rregullat e punës në hartë për adresimin e pjesëve të territorit publik nga bashkitë dhe komunat. Urdhri i ministrit, si dhe materialet e tjera që e shoqërojnë, në veçanti hartat fotogrametrike, përcaktojnë dhe kërkojnë zbatimin e standardeve për krijimin në kohë të një sistemi të plotë dhe të unifikuar adresash.

Gjatë takimi të djeshëm, zëvendësministri Poni cilësoi gjithashtu mjaft të rëndësishëm zbatimin e kalendarit të veprimeve të përcaktuar nga Ministria e Brendshme për krijimin e sistemit të adresave. Faza e parë e veprimeve, që sipas këtij kalendari është shpërndarja e hartave fotogrametrike, saktësimi dhe plotësimi i tyre dhe hedhja në hartën vektoriale e emërtimeve të pjesëve të territorit publik, duhet të përfundojë brenda muajit shtator konform procedurave unike. Ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për sistemin e adresave ekspozuan mënyrën e përdorimit të ortofotove dhe hartave vektoriale. Në takim mori pjesë edhe shefi i asistencës teknike të OSBE-së, Frank Nan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›