E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, sulm PS-së, merr Petro Koçin

Koalicion për koalicion. Kjo është përgjigjja që i ka dhënë dje kreu i LSI-s, Ilir Meta, ish-aleatit të tij, Edi Rama, i cili po krijon një aleancë të përbashkët opozitare edhe pa LSI-në. “E majta për Integrim”, koalicioni që u zyrtarizua nga Ilir Meta disa muaj më parë, dje u kristalizua edhe me krijimin e një grupi të ri parlamentar, ku përveç shtatë deputetëve aktualë, i është shtuar edhe ish-deputeti socialist, Petro Koçi. Por duket se nuk mbetet me kaq. Edhe nga vetë deklarimet e Ilir Metës, krijimi i këtij koalicioni që ai e konsideroi fitues në zgjedhje do të nisë me formësimin e këtij grupi të ri parlamentar, i cili do të vazhdojë të forcohet më tej. Në ambientet politike, me zë të ulët thuhet se PS-së shumë shpejt do t’i largohet një tjetër deputet, për t’u bërë pjesë e grupit parlamentar “E majta për integrim”. Bëhet fjalë pikërisht për deputetin e Beratit, Luan Memushi, i cili prej kohësh ka shfaqur afrimin e tij me LSI-në. Ndërsa burime nga LSI-ja sqaruan se këtij grupit pritet t’i bashkohet edhe kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, duke u bërë kështu pjesë e koalicionit të Metës. Por kjo duket se do të zgjasë edhe pak. Për momentin, Ceka po qëndron në heshtje duke parë edhe çfarë do të ndodhë me Kodin Zgjedhor. Vetëm pas zbardhjes së plotë të tij, ai do të vendosë nëse do të shkojë majtas apo djathtas.

Deklaratat

Ilir Meta dhe Petro Koçi u shfaqën dje para mediave, fiks një ditë pasi Rama dhe Gjinushi lanë të kuptohet për një koalicion të së majtës edhe pa Ilir Metën. Por më shumë se kaq, ajo çfarë mëshoi më tepër Meta ishte se afrimi i Petro Koçit në grupin parlamentar të kësaj partie, që tani e tutje ka një emër të ri, është vetëm hapi i parë. “Kemi konkretizuar një hap sot. Do të konkretizojmë hapa të tjerë në të ardhmen. Ky nuk është një raport konjuktural. Është një raport strategjik dhe afatgjatë për ripërtëritjen e së majtës dhe të gjitha forcave progresiste në Shqipëri. Kjo do të thotë që në këtë sesion të ri parlamentar nuk do të ketë një grup parlamentar të LSI-së, por një grup parlamentar “E majta për Integrim””, - tha Meta. Lidhur me afrimin e ish-deputetit socialist, ai tha se “bashkëpunimi do të vijojë, jam i bindur, me shumë sukses në të ardhmen edhe me ndërtimin dhe konfigurimin e një koalicioni fitues për vlerat e së majtës dhe gjithë progresistëve në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009”.

Ndërsa ish-deputeti socialist, Koçi, tha se një arsye bashkëpunimi është “për t’iu thënë të gjithë socialistëve dhe progresistëve se do të punojmë së bashku për të garantuar fitoren e zgjedhjeve të 2009-s dhe kjo fitore vjen duke bashkëpunuar mes të gjithë atyre që janë të majtë, por dhe progresistëve të tjerë që vijnë nga shoqëria civile dhe sidomos lëvizja jonë do të përfaqësojë çdo socialist, i cili është shpërfillur dhe shkelmuar nga Partia Socialiste për shkak të frymës përjashtuese të kryetarit Rama dhe të gjithë atyre që e pasojnë atë”.

Koalicioni

E majta për Integrim u krijua disa muaj më parë nga LSI, pjesë e së cilës u bënë pa ndonjë qëndrim zyrtar PDS dhe PAD. Por me afrimin e përgatitjeve për zgjedhjet, Paskal Milo është duke kërkuar hapësirat më të mëdha për të përballuar zgjedhjet e 2009-s, çka bëri që ai të hyjë në bisedime me Partinë Socialiste. Duke u ndjerë më i sigurt, Rama organizoi një takim me Gjinushin dhe Milon, ku bëri të qartë se në zgjedhje mund të shkohet edhe pa një koalicion me LSI-në e Metës. Nëse deri më dje, Meta nuk e kishte artikuluar mundësinë reale për të dalë me këtë koalicion, kjo u duk më qartë.

Me një dalje zyrtare, ai nisi afrimin e elementëve që do të përbëjnë koalicionin e drejtuar prej tij. E sa për ta përditësuar dhe për ta bërë sa më të besueshme, edhe grupi parlamentar i kësaj partie ka marrë të njëjtin emër.

LSI sulmon Milon: Zëdhënës gratis i Ramës

Largimi i PDS së Milos, drejt një koalicioni të mundshëm me PS-në solli dje reagimin e LSI. Në një njoftim për mediat, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, tha se tashmë Milo është kthyer në një bisht të koalicionit të përbërë. Por ajo çfarë solli reagimin e kësaj partie ishte deklarimi i Milos në një televizion se arsyeja e vërtetë e mosmarrëveshjeve PS-LSI janë mëritë e vjetra. Nisur nga kjo, Vasili e cilësoi kreun e PDS-së si zëdhënës gratis të pajtuar nga Rama duke shtuar se qëndresa është një sfitë e pamundur për të.

Pavarësisht këtyre dhe faktit që grupi parlamentar LSI-PDS ndërroi emër, deputeti i këtij grupit parlamentar, Paskal Milo, do të vazhdojë të jetë pjesë e tij. “Nuk ka asnjë ndryshim nga ky pozicion”, - pohuan dje burime nga Partia Demokracia Sociale. Kryetari i kësaj partie, Paskal Milo, pak ditë më parë deklaroi fillimin e bisedimeve me selinë rozë për garantimin e një bashkëpunimi mes të majtëve për zgjedhjet e 2009-s. Mediatikisht, por edhe politikisht, kjo lëvizje e Milos u lexua si një ndarje nga aleati i tij i ngushtë, Meta, por pavarësisht kësaj, ajo çfarë i bashkon dy partitë është ende e fortë. Milo deklaroi dy ditë më parë se do të takohet edhe me Metën pa përcaktuar nëse kjo është për interes të partisë së tij, apo do të marrë rolin e negociatorit mes Ramës dhe kreut të LSI-së.

Bello e Braçe, në Farkë për të “rrëzuar” Berishën

Deputetë të Partisë Socialiste janë detyruar që të udhëtojnë dje drejt Farkës për të kundërshtuar deklaratat e Kryeministrit Berisha bërë pak ditë më parë në këtë zonë, ku vlerësoi me nota maksimale zhvillimet në infrastrukturë etj. Nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe, deklaroi se Kryeministri Berisha ka gënjyer, sepse kjo është një zonë ku është bërë masakër urbanistike dhe është krijuar një zonë me probleme të mëdha sociale. “Këtu ka ndodhur një masakër e vërtetë urbane, ndërtimet janë thellësisht pa kriter, kanë pushtuar sipërfaqe të gjelbra dhe i kanë shfarosur ato, ndërkohë që pallatet tetëkatëshe po i ngjiten kodrës gjithnjë, duke ruajtur statusin, sipas të cilit “ballkoni i njërit duhet doemos të hyjë në penxheren e pallatit tjetër” dhe anasjelltas”, - tha Braçe. Njëkohësisht ai vuri në dukje se zona e Farkës në Tiranë ka probleme të mëdha mjedisore.

Sipas tij, kjo ka ardhur për shkak të këtyre ndërtimeve pa kriter. Deputeti socialist vuri në dukje se zona vuajnë edhe nga furnizimi me ujë të pijshëm, mungesa e energjisë elektrike, nga kanalizimi i ujërave të zeza, nga infrastruktura rrugore, kujdesi shëndetësor, mundësia e arsimimit etj. “Ky është modeli i Sali Berishës, modeli i bombave sociale pranë qyteteve”, - tha ai.

Rama: Qeveria të reagojë për katastrofën në bujqësi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi dje nga shefi i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, reagim të menjëhershëm ndaj situatës që është krijuar për shkak të farës së misrit në disa fshatra. “Misri i mbjellë anekënd vendit nuk prodhon kokrra jo për mungesë të shërbimeve gjatë procesit të rritjes së tij, po për mungesë të kontrollit të farës nga ana e shtetit. Ky është një skandal i denjë vetëm për republikat e bananeve, ku sundon korrupsioni qeveritar e paaftësia qeverisëse”, - deklaroi Rama. Sipas tij, është qeveria që përmes strukturave të saj duhej të organizojë punën në rang republike për kontrollin e të gjithë inputeve bujqësore që hyjnë në Shqipëri, të cilat në vite kanë degraduar vijimësisht për të ardhur deri tek kjo ditë, kur mijëra familje mbjellin misër dhe pas një viti pune u mbeten në duar kallinjtë pa kokrra të korrupsionit e të paaftësisë absolute të qeverisjes së Sali Berishës. Duke fajësuar Sali Berishën si përgjegjësin politik e moral për këtë katastrofë, Rama kërkoi që ai të pranojë përgjegjësinë dhe shlyejë financiarisht humbjen e çdo familjeje, por edhe të kërkojë hapjen e një hetimi serioz për nxjerrjen para ligjit dhe dënimin e fajtorëve. “Është detyrimi i Kryeministrit të shpjegohet përpara publikut për dyshimin e rëndë të favorizimit të një situate monopol, me rrënjë tërësisht politike, në fushën e tregtisë së inputeve bujqësore”, - shtoi më tej kryetari i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›