E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI, gati nisja e hipotekimeve të ndërtimeve

10/01/2009  Pas kompensimit të pronarëve të tokës realizohet kalimi i pronësisë

Pritet që ALUIZNI të nisë procesin e hipotekimit të ndërtimeve të paligjshme që kanë marrë miratimin e qeverisë. Kështu, të gjitha subjektet që kanë paguar detyrimet që lindin nga procesi – pagesa e sipërfaqes së zënë dhe detyrimet e tjera që lindin nga ky proces – do të kenë mundësinë ta kenë të ligjshme pronën e zënë. Ndërsa procesi i dhënies së tapive do të jetë i koordinuar me atë të kompensimit të pronave. Kjo pasi vetëm pas realizimit të kompensimit të të zotëve të tokës sipërfaqja do të konsiderohet e lirë dhe mund të transferohet për procesin e legalizimeve.

Burimet kanë bërë të ditur se brenda pak javëve Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të mund të realizojë kompensimin e pronarëve, emrat e të cilëve janë miratuar edhe në qeveri. Një proces i tillë do të realizohet në bashkëpunim me ALUIZNI-n pas kalimit të fondit përkatës në llogari të AKKP-së.

Përcaktimi

Në lidhje me kalimin në pronësisë së parcelës ndërtimore përcaktohet se “ALUIZNI, me vendim të Këshillit të Ministrave, ngarkohet të kryejë procedurat për

kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi

i ndërtimit pa leje. Kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore ose truallit bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Për efekt legalizimi parcela ndërtimore, si rregull, nuk i kalon 500 m2. Sipërfaqet e truallit mbi 500 m2, të cilat për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i bashkëlidhen parcelës ndërtimore dhe i shiten pronarit të truallit me çmim tregu”.

Ndërsa çmimi i truallit të parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me destinacion strehimi mbetet ai i ndarjes sipas sipërfaqeve të zëna. Kur objekti pa leje ka destinacion socialekonomik apo shfrytëzohet sipas këtij destinacioni, çmimi i truallit për metër katror paguhet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Kur objekti pa leje ka destinacion të përzier strehimi dhe veprimtarie socialekonomike, çmimi i shitjes së truallit paguhet sipas çmimit të përcaktuar për shitje trualli për metër katror për banim shumëzuar me koeficientin e shfrytëzimit të ndërtesës për destinacion socialekonomik. Koeficienti caktohet nga Këshilli i Ministrave sipas raportit të shfrytëzimit të ndërtesës gjithsej. Ndërkohë edhe kalimi i pronës nga leja për legalizim në atë me certifikatë pronësie do të realizohet nëpërmjet ALUIZNI-t në bashkëpunim me ZRPP-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›