E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas regjistrimeve tjetër spostim liste

10/01/2009  Plotësimi i kuotave të parealizuara do të përcaktohet nga vetë fakultetet

Regjistrimet e fundit për sistemin part-time do të mbyllen më 21-23 janar 2009

Lista e kandidatëve fitues të shpallur nga fakultetet gjatë ditës së djeshme për ciklin e studimeve me kohë të pjesshme mund të pësojë një tjetër spostim, që do të publikohet pas mbylljes së regjistrimeve që do të zhvillohet në katër ditët e ardhshme për këta fitues. Sipas udhëzimit përkatës, detajohet se për të gjitha vendet e tjera që do të mbeten bosh pas këtij harku kohor do të ketë një tjetër raund pranimesh, të cilat do të vijohen me spostimin e listës së fituesve. Zyrtarizimi i këtyre të fundit sipas programeve në të cilat kanë aplikuar do të bëhet më datat 21-23 janar. Pavarësisht këtyre procedurave, drejtuesit e fakulteteve pohojnë se janë tejkaluar të gjitha afatet për nisjen e procesit mësimor për këtë cikël studimesh. Sipas tyre, për të realizuar në kohë procesin mësimor si dhe përmbushjen e programeve të studimit për rikuperimin e kohës së humbur, (pasi studimi part-time duhej të ishte çelur që më 10 nëntor), do të bëhet riorganizimin e orëve mësimore, proces ky që do të kryhet në mënyrë individuale nga të gjitha fakultetet që ofrojnë këtë cikël studimesh.

Regjistrimet

Në të gjitha fakultetet ku ka pasur shtesa kuotash gjatë ditës së sotme do të nisë jo vetëm procesi mësimor, por dhe regjistrimi i kandidatëve fitues të shpallur gjatë ditës së djeshme. “Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme ku janë shpallur fitues të bëhet më datat 10, 11, 12, 13 janar 2009 prej orës 8.00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore të fakulteteve”, thuhet në udhëzim. Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe do të zhvillohet edhe procesi i derdhjes së taksës vjetore të shkollës për atë kategori fituesish që është përcaktuar në fazën e parë të pranimeve. Megjithatë, udhëzimi përcakton që, nëse edhe pas kësaj faze regjistrimesh do të ketë sërish vende bosh, atëherë kuotat do të mbushen me të tjerë kandidat që ndodhen në rendin zbritës të listës fituese.

Afatet e shpërndarjes

Për këtë proces janë vënë në dispozicion edhe tri ditë të tjera. “Pas mbylljes së këtij procesi regjistrimi dhe plotësimit të deklaratave individuale nga të gjithë të regjistruarit, kuotat e parealizuara plotësohen nga institucionet e arsimit të lartë në datat 21, 22, 23 janar 2009, duke respektuar renditjen e shpallur të kandidatëve” , - specifikohet në udhëzim. Ky proces pritet të përfundojë me mbylljen e muajit janar dhe fakultetet do të dorëzojnë pranë Ministrisë së Arsimit listat përfundimtare të kandidatëve që do të ndjekin gjatë këtij viti akademik studimet me kohë të pjesshme. Nisja sërish e studimeve me kohë të pjesshme pas mungesës njëvjeçare ka bërë që për këtë vit akademik të drejtën e studimeve do ta kenë rreth 4000 kandidatë, këta të shpërndarë si për programet e para të studimit, ashtu dhe për programet e dyta. Përkundrejt shtimit të kuotave të pranimeve, këtë vit është proceduar edhe me uljen e tarifave të studimit sipas degëve (tarifa që vijojnë nga 30 mijë lekë të vjetra për degët më pak të kërkuara në 90 mijë lekë për degët më të kërkuara, siç është ajo e Fakultetit të Drejtësisë.

Procedura

750 kuota

pranimet e reja shtesë të ndara sipas programeve të caktuara të fakulteteve publike.

10-14 janar

do të bëhet regjistrimi i kandidatëve të shpallur fitues për kuotat shtesë.

21-23 janar

do të publikohet zbritja e re e listës së fituesve, nëse ka sërish vende bosh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›