Olldashi i kërkon Ramës projektin e Unazës së Madhe
10/01/2009 Me anën e një letre të hapur ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, i kërkon kryetarit të Bashkisë së Tiranës projektin e Unazës së Madhe. Deklarata është në vijim të debateve të ditëve të fundit, mes dy institucioneve në lidhje me projektin e Unazës së Madhe, për të cilin secila prej palëve ka versionin e saj. Sipas letrës zyrtare, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit duhet të financojë këtë projekt, që ka mbetur ende i pazbatuar. Ky dikaster ka pranuar zyrtarisht në datën 06.06.2008 kërkesën e Bashkisë së Tiranës për shpronësimin e aksit të Unazës së Madhe, Tiranë. Gjithashtu, ka dërguar për bashkëfirmosje akt-marrëveshjen në fjalë. “Me shqetësim vërejmë se prej asaj dite nuk ka asnjë zhvillim pozitiv për sa i përket garantimit të fondit, i cili do të mundësonte ndërtimin e kësaj unaze. Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për kryeqytetin ndërtimi i këtij aksi, duke vlerësuar edhe se pamundësia juaj për të realizuar këtë projekt nuk është arsye e mjaftueshme për të mbajtur peng qytetarët e Tiranës, ju kërkojmë të na vini në dispozicion projektin e Unazës së Madhe në mënyrë që MPPTT me fonde të buxhetit të shtetit, të fillojë menjëherë ndërtimin e saj”, - thuhet në letrën dërguar nga ministri i MPPTT-së, Sokol Olldashi. Kreu i Qeverisë pak ditë më parë u shpreh se Unaza e Madhe e Tiranës do të ndërtohet edhe në rast se bashkia dështon në sigurimin e kredisë. Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.5 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Rruga e re parashikohet që të përballojë një trafik me mbi 20 mijë shkelje në ditë, që në momentin e parë të funksionimit të saj dhe duke llogaritur një rritje trafiku prej mesatarisht 7% në vit. Kjo rrugë parashikohet të përballojë trafikun me kushte optimale deri në vitin 2021.