E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI, gati të kërkojë legalizimin e 32 zonave informale

Agjencia e Legalizmeve në mbledhjen e ardhshme të KRRTRSh-së do të paraqesë për miratim legalizimin e 32 zonave informale. Pas identifikimit të këtyre hapësirave mësohet se këto janë zonat e fundit që kanë mbetur të palegalizuara. Duke realizuar një proces të tillë, ALUIZNI do të arrijë të përfundojë fazën e parë të procesit të legalizimeve, duke i hapur rrugë hallkave të tjera që do t’i japin fund ekzistencës së zonave informale në vend. Paralelisht, ALUIZNI i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë disa ndryshime në ligjin ekzistues, me qëllim eliminimin e procedurave burokratike.

Sarandë, gjoba bizneseve për mospagimin e taksave të prapambetura

Në qytetin bregdetar të Sarandës është zhvilluar dje një operacion i koordinuar për të çuar në “zero” borxhet që 30 biznese i kanë bashkisë së qytetit që nga viti 2007, por edhe ato të krijuara në janarin dhe shkurtin e këtij viti. Shoqërive private të biznesit, që nuk kanë shlyer detyrimet ligjore ndaj institucionit të qeverisjes vendore dhe kanë shuma të konsiderueshme të prapambetura pa derdhur në arkën e bashkisë, u është kërkuar të bëjnë shlyerjen e menjëhershme të taksës. Organet tatimore të mbështetura edhe nga policia bashkiake kanë bërë paralajmërimin e fundit për mbylljen e bizneseve. Remzi Bani, shefi i policisë bashkiake, tha: “Subjektet janë vënë nën presionin e ligjit dhe asnjë prej debitorëve nuk do të lihet të vazhdojë ushtrimin e aktivitetit pa pastruar llogaritë e prapambetura”. Operacioni i bashkërenduar i tatimorëve dhe policëve bashkiakë do të vijojë edhe në ditët që vijnë, vonesat e mëtejshme të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura do të shoqërohen edhe me gjoba të parashikuara nga ligji.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›