E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: “Gjyqtarët më të korruptuar se tatimorët e doganierët”

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjyqtarët më të korruptuar se tatimorët dhe doganierët. Kjo ka qenë shuplaka më e rëndë për gjyqtarët e kryeqytetit nga ana e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Në analizën e fund vitit 2007 akuza dhe vërejtje të rënda janë lëshuar për gjyqtarët e Tiranës të të dyja shkallëve si nga Alibeaj, ashtu edhe nga zëvendësministri i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Analiza e ditës së djeshme i ka dhënë fund “Maratonës për drejtësi”, duke mbyllur përkohësisht edhe akuzat ndaj togave gjyqësore nga KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë. Për disa orë me radhë analiza ka vijuar me akuza dhe kundërakuza mes gjyqtarëve dhe drejtuesve të analizës. Në analizën e djeshme ishin edhe gjyqtarët e gjykatave të cilat funksionojnë në juridiksionin e Gjykatës së Tiranës, Gjykatat e rretheve Gjyqësore Tiranë, Krujë, Kurbin, Peshkopi, Mat.
Akuzat e ministrit
Ministri Alibeaj u ka kërkuar gjyqtarëve që të tregohen të drejtë me punën e tyre dhe të mos e kthejnë punën e tyre në një biznes. Sipas ministrit, problem është kthyer arsyetimi i vendimeve. Alibeaj nuk ka ngurruar t’u kujtojë gjyqtarëve se qytetarët habiten kur shohin makina luksoze në oborrin e gjykatës. Sipas tij, statistikat e fundit të një studimi kanë treguar se më shumë korrupsion ka në Gjyqësor sesa te Tatimet apo Doganat. “Kjo gjykatë gjykon një numër tepër të madh çështjesh, në kushte të vështira, mungesë sallash, sekretare jo të afta. E pranoj që nuk keni infrastrukturën e duhur dhe pagat mund të mos jenë të nivelit të duhur, por si mund ta shpjegoni faktin që minimalisht 12 nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Tiranë të Gjykatës më të madhe në Shqipëri, pasi japin një vendim gjyqësor në një ditë të bukur mes palëve që presin pas derës, i shpallin këto vendimet në rekorde “Gines” deri në 7 muaj e 23 ditë”, - tha dje ministri. Sipas tij, dy arsye qëndrojnë në këtë rast: ose ka dhënë vendim të paarsyetuar, largim nga sistemi në mënyrë të dhunshme, ose është një mënyrë e hapur korruptive. “7 muaj e 23 ditë mbahet një vendim gjyqësor në sirtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë. Janë 12 gjyqtarë dhe në bazë të një përllogaritjeje, më del se janë 600 çështje të tilla, vendimet e të cilave nuk arsyetohen në afat, që do të thotë për mos arsyetim të vendimeve në kohë”, - pohoi në gjuhë shifrash numri një i pallatit të xhamtë të Drejtësisë.
Dypunësimi
Nënkryetari Spahiu tha dje se Këshilli është vënë në dijeni të plotë të çrregullimeve që kalendarët e punës së gjyqtarëve kanë pësuar për shkak të angazhimit të tyre në mësimdhënie apo aktivitete të tjera të natyrës akademike. Sipas tij, asnjë aktivitet i lejuar për gjyqtarin nuk mund të jetë më prioritar sesa vetë gjykimi dhe koha zyrtare në dispozicion të proceseve gjyqësore është e paprekshme. Ai shtoi se nga informacionet që disponon KLD-ja, vetëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë aktualisht janë të angazhuar në mësimdhënie 14 gjyqtarë, disa në më shumë sesa një shkollë universitare. “Duke pasur parasysh ngarkesën e punës që çdo gjyqtar ka në Gjykatën e Tiranës, numri i çështjeve gjyqësore, kohëzgjatja e të cilave rrezikohet nga angazhime te tilla dytësore, është shumë i lartë", - theksoi Spahiu. Për herë të parë, numri dy i KLD-së bëri publike se nuk mund të lihen jashtë fokusit të KLD-së shqetësimet lidhur me fraksionime të ndjeshme brenda trupës gjyqësore të Gjykatës së Tiranës, të cilat në disa raste marrin përmasa të tilla sa krijojnë konfrontime me drejtuesit, me anëtarët e trupit gjykues dhe ndonjëherë përçohen deri te palët, konfliktet e të cilave shqyrtohen nga këto kolegje gjyqësore.

Akuzat e Alibeajt
“Pala që humbet ankohet në Ministrinë e Drejtësisë ose në KLD, pala që ka fituar është ankuar më parë te gjyqtari. Është mirë që ju të reformoheni se është mirë që në këtë valë reformimesh që është duke u ndodhur në republikë, të vetmit që nuk japin sinjalin minimalisht të reformimit është sistemi gjyqësor. Ju nuk mund të merrni përsipër që t’u ngjisni shqiptarëve bishtin e të korruptuarve, sepse shqiptarët janë ata njerëz që kanë atë kulturë që të kuptojnë që kur jepet një vendim i drejtë dhe në disfavorin e tyre, ta pranojnë atë. Ju nuk duhet t’i detyroni shqiptarët që të vdesin në sallat e gjyqeve për shkak të lodhjes, ju nuk duhet t’i detyroni që edhe pa të drejtë të marrin armët dhe të qëllojnë ndaj gjyqtarëve. Keni analizuar ndonjëherë pse ndodhin këto?! Keni parë se përse u lindin këto ide palëve që vijnë në gjykatë për të gjetur drejtësi?! Keni drejtuar sytë nga vetvetja? Çfarë ju pengon që gjyqet, seancat t’i bëni në ato sallat jo shumë komforte, që palëve t’u jepni aksesin e duhur? Mjafton t’u jepni idenë se jeni duke bërë gjyq dhe kjo është një gjë e madhe, sepse jeni ju ata që vendosni në fund. Janë palët, të cilat duhet të reagojnë për vendimin dhe jo ndaj jush. Jeni ju që keni detyrimin për të krijuar besueshmërinë te qytetarët dhe askush tjetër. Është e patolerueshme që gjyqtarët sot të heqin dorë nga detyra e tyre, që nuk pranojnë të gjykojnë çështjet. Shkoni dhe shikoni në Gjykatën e Tiranës sa kërkesa për dorëheqje ka. Praktika të pastra, të qarta, manipulative dhe korruptive për të zhvatur padrejtësinë”.

Gjin Gjoni, gjyqtar në Shkallën e Parë të Tiranës
“I korruptuar nuk është ai gjyqtar që i prishet vendimi, por ai që nuk i është prishur asnjëherë vendimi. Kur flisni për gjyqtarë të korruptuar duhet të flisni për emra konkretë. Shorti hidhet sipas preferencave. Në këtë mënyrë është marrë dhe administrata gjyqësore në punë. Shpeshherë qytetarët janë të pakënaqur ndaj shërbimeve që ofron administrata e gjykatës”.

Rrahman Qinami, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës
“Unë e pranoj që Gjyqësori ka probleme, por nuk jam dakord që të përbaltet figura e gjyqtarit në këtë mënyrë. Nëse ka probleme, hajde të diskutojmë për zgjidhje dhe jo të fyejmë në këtë mënyrë”.

Kreshnik Spahiu
“Nga informacionet që vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë disponon, vetëm në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë aktualisht janë të angazhuar në mësimdhënie 14 gjyqtarë, disa në më shumë sesa një shkollë universitare. Duke pasur parasysh ngarkesën e punës që çdo gjyqtar ka në Gjykatën e Tiranës, numri i çështjeve gjyqësore, kohëzgjatja e të cilave rrezikohet nga angazhime të tilla dytësore, është shumë i lartë”.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›