Hipoteka e shtëpisë, procedurat që ndiqen pas pagesës së referencës
Ervin Koçi
Qytetarët që duan të shesin apo të blejnë një banesë apo objekt privat bashkë me çmimin e tij duhet të llogarisin tashmë edhe taksat që duhet t’i paguajnë shtetit për këtë transaksion. Ministria e Financave ka bërë të ditur se ka përfunduar tashmë udhëzimin e përmirësuar në lidhje me listën e çmimeve minimale fiskale që ka nisur t’i bashkëngjitet procedurave në hipoteka. Pas kësaj, regjistrimet në hipoteka do të bazohen pikërisht në këtë udhëzim të ri. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Politikave Fiskale, në Ministrisë së Financave, bënë të ditur për “Albania”-n se, “çmimet referuese i kanë lënë vendin aplikimit të tatimit mbi pasurinë”. Sipas këtyre burimeve, në këtë fazë udhëzimi i ri sistemon regjistrimin në hipoteka, ku që nga 1 janari i këtij viti do të fillojë të aplikohet për çdo qytetar tatimi prej 10 për qind mbi pasurinë. “Këtej e tutje, fitimi i një individi që shet pronën apo banesën, ose në rastet e transferimit dhe të dhurimit të saj, i gjithë transaksioni dhe tatimi që paguhet në rastin e shitblerjes bazohet katërçipërisht në kontratën e nënshkruar mes dy palëve”, - sqarojnë burimet.
Procedurat e shit-blerjes
Udhëzimi i ri e shtrin efektin e tij që nga 1 janari 2008, datë kur ka nisur të zbatohet edhe tatimi mbi fitimin në kuadër të taksës së sheshtë. Sipas sqarimeve, bëhet fjalë për një udhëzim derivat qendror i legjislacionit në fuqi për rastet e shitjes së pasurisë apo kalimit të titullit të pronësisë për pasuritë e paluajtshme, qofshin ato prona apo banesa. Pagesa e tatimit prej 10 për qind, kap disa kategori kryesore. Taksa do të paguhet për të gjitha rastet e shitblerjes së një banese, ku ky tatim do të bëhet në të gjitha rastet e mundshme kur bëhet transaksioni i pasurive të paluajtshme dhe në vijim regjistrimi i banesës përkatëse. Këtu përfshihen të gjitha pallatet e ndërtuara para vitit 1995, për të cilat do të bazohet në çmimet e shitjes. Po ashtu bëhet fjalë edhe për pallatet e ndërtuara në vitet 1996-2003, kur do të bazohet në çmimet respektive të abdikuara me çmimin e tregut dhe të cilat janë marrë nga Enti i Banesave. Transaksioni nuk zbatohet vetëm ndaj çmimit minimal të përcaktuar. Ky udhëzim do të zbatohet edhe në tokat bujqësore, ndërsa janë përcaktuar vetëm 6 prefektura dhe pritet që kjo të shtrihet edhe për pjesën tjetër të vendit. Sipas udhëzimit, “për qytetet që nuk përmenden në udhëzim, për efekt llogaritjeje do të merret në konsideratë kostoja mesatare për m2 e sipërfaqes së shfrytëzueshme e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave në udhëzimin e qeverisë dhe në aktet e tjera për vitet në vijim”.
Rastet e përjashtimit
Tatimi 10 për qind nuk do të paguhet vetëm në rast se është paguar me ligjet e mëparshme para zbatimit të këtij udhëzimi. Nëse tatimi mbi pasurinë është paguar nga një individ referuar legjislacionit paraardhës prej 2 për qind, por banesa nuk është regjistruar, tatimi mbi fitimin nuk do të paguhet sërish. Sipas udhëzimit, “në rastet kur individët nëpërmjet aktit noterial kanë bërë kalimin e së drejtës së pronësisë përpara datës 1 janar 2008, por nuk kanë paguar detyrimin tatimor dhe paraqiten pas kësaj date për të kryer regjistrimin në sportelet e zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, detyrimi tatimor do të llogaritet sipas dispozitave të Nenit 11 të Ligjit Nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar me Ligjin Nr. 9716, datë 16.04.2007. Në rastet kur individët kanë nënshkruar kontratë të kalimit të së drejtës së pronësisë dhe kanë paguar tatimin para datës 1 janar 2008 dhe paraqiten pas kësaj date pranë ZVRPP-ve për regjistrim pasurie, nuk paguajnë detyrime tatimore shtesë.
Kalimi i pronësisë
Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie në përputhje me aktet ligjore përkatëse. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në udhëzim fiksohet se, “për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara pas 1 janarit 2003, të cilat nuk kanë vlerë në blerje për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kosto minimale fiskale e përcaktuar nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kostos minimale fiskale në ndërtim dhe për mënyrën e përcaktimit të çmimit të shitjes së banesave”.
Shitja e ndërtesës dhe e truallit
Në rastin e shitjes së një ndërtese të përfituar nga këmbimi i truallit, në bazë të një kontrate këmbimi si çmim i blerjes do të konsiderohet një nga çmimet e përcaktuara në çmimet referuese. Në rastet e shitjes njëkohësisht të tokës truall dhe të ndërtesës “njollë” brenda këtij trualli, për përllogaritjen e detyrimit tatimor do të merren në konsideratë të dy elementet: vlera e shitjes së ndërtesës dhe vlera e shitjes së truallit. Vlerat e shitjes së ndërtesës dhe të truallit nuk duhet të jenë më të vogla se çmimet minimale përkatëse të përcaktuara në këtë udhëzim. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes. Tatimi mbi të ardhurat nga kalimi i të drejtës së pronësisë paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme.
Pagesa për kalimin e të drejtës së pronësisë
Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme llogarisin dhe arkëtojnë detyrimin tatimor përkatës sipas procedurave të përcaktuara në ligj dhe në këtë udhëzim. Pagesa e detyrimit tatimor bëhet para kryerjes së regjistrimit të aktit të kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurive të paluajtshme, në ZVRPP, në përputhje me aktet ligjore. Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme mbledhin tatimin lidhur me kalimin e të drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme dhe e derdhin atë brenda 10 ditëve nga kryerja e veprimeve për llogari të organeve tatimore. Brenda datës 10 të muajit pasardhës, zyrat e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme dërgojnë në degën përkatëse të tatimeve evidencën përkatëse, e cila përmbledh emrin e individit tatimpagues, shumën e llogaritur të tatimit mbi të ardhurat nga kalimi i të drejtës së pronësisë, si dhe numrin dhe datën e dokumentit të derdhjes së këtij detyrimi në organin tatimor.
Çmimet e reja për Tiranën
1 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për dyqan mallrash apo shërbimesh është 2 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit.
2 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për garazh të mbuluar është 70 për qind e çmimit.
3 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi zyra është i njëjtë me çmimin e sip. të apartamenteve.
4 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për parkim i hapur është 30 për qind e çmimit.
5 - Për ndërtesat e privatizuara me Ligjin Nr. 7652, datë 23.12.1992, "Për privatizimin e banesave shtetërore, i ndryshuar", çmimi për m2 është 70 për qind e çmimit, sipas zonave të tabelës.
Për rrethet
1 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për dyqane mallrash apo shërbimesh është 1.5 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit.
2 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për qytetet që nuk janë të listuara në këtë shtojcë, kosto e shitjes për m2 të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin e fundit.
3 - Për ndërtesat e privatizuara me Ligjin Nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore i ndryshuar”, për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara deri më 31 dhjetor 2004 çmimi për m2 është kostoja e shitjes për m2 të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin e fundit.
4 - Për komunat, çmimi minimal llogaritet 70 për qind e çmimit të qytetit përkatës.
4 Mars 2008