E Diel, 1 Nëntor 2026

ALUIZNI, legalizimet me bono privatizimi do të nisin në janar 2010

Ervin KOÇI

Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje me anë të bonove të privatizimit deri tani ka qenë inekzistent. Ky fakt është pranuar edhe nga zyrtarë të ALUIZNI-it, të cilët kanë thënë për gazetën “Albania” se, “ndoshta procesi i legalizimit me letra me vlerë do të nis në fund të muajit janar, kohë kur parashikohet të nisë nga funksioni edhe zyra që do të merret me këtë proces”. Edhe pse ka hyrë në fuqi prej më shumë se dy javësh, ligji i ri për përdorimin e bonove të privatizimit ende nuk ka gjetur zbatim nga ana e Agjencisë së Legalizimeve. Asnjë zyrë e ALUIZNI-t nuk merr përsipër vënien në zbatimin të procesit të legalizimit me anë të bonove të privatizimit, kjo pasi deri tani nuk kanë ardhur udhëzime dhe nuk janë bërë trajnimet e duhura se si do të zhvillohet ky proces. Zyrtarët e ALUIZNI-t kanë thënë për gazetën pa dashur të identifikohen se, "nuk mund të bëjmë asnjë veprim pa u miratuar edhe aktet nënligjore, në shërbim të zbatimit të tre ndryshimeve të bëra në ligj". Sipas tyre, deri tani asnjë veprim për legalizimin e ndërtimeve informate nuk është bërë me letra me vlerë, duke bërë që këtyre të fundit t’u bjerë ndjeshëm vlera në treg. Ata pranojnë disa pengesa të vogla teknike deri në zbardhjen e vendimit. Aktualisht procesi i legalizimeve duket se ka ngecur, pasi zyrat e ALUIZNI-t nuk po kryejnë asnjë veprim, përveç pranimit të pagesës 4 mijë lekë të formularit.

Procesi
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale nuk është duke kryer asnjë veprim, deri në pritje të vendimit të qeverisë. Bëhet fjalë për aktet nënligjore për përdorimin e letrave me vlerë, sikurse e parashikon ligji i ri, deri në masën 50 për qind të saj për objekte mbi 300 metra katrorë sipërfaqe toke. "Jemi duke identifikuar shpërndarjen e letrave më vlerë, duke parë mundësinë e bashkëpunimit edhe me bankat private”, - thonë zyrtarët e ALUIZNI-t. Ata shtojnë më tej se përdorimi i bonove do të nisë në fund të muajit janar 2010, fill pas zbardhjes së metodës për përdorimin e tyre. Gjithashtu ata thonë se pas kësaj procesi pritet të ketë vijueshmëri dhe mbyllje brenda afateve të vendosura nga qeveria. Sikurse e përcakton rregullorja, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit është institucioni që mban përgjegjësi për procesin dhe nxjerrjen e akteve. Tjetër shqetësim për banorët e zonave informale është mungesa e informacionit. "Kanë kaluar më shumë se një vit dhe deri tani kam bërë vetëm pagesën e formularit prej 4 mijë lekësh. Kam bërë llogaritë dhe më del të paguajë rreth 300 mijë lekë, por nuk kujtohet askush të vijë për sqarime të mëtejshme", - thotë një i interesuar për legalizimin e objektit pa leje, me sipërfaqe mbi 300 metra katrorë. Ajo që i konfuzi më shumë personat e prekur nga procesi ishte miratimi i ligjit të ri, ndryshe nga sa kishte deklaruar kryeministri, për përdorim bonosh me 80 për qind.

Ligji i ri
Prej datës 24 nëntor 2009 ka hyrë në fuqi ligji për legalizimin me anë të bonove të privatizimit në masën 50 për qind të vlerës. Personat që kanë bërë pagesën me lekë në dorë duhet të paraqesin një kërkesë pranë ALUIZNI-t për të marrë mbrapsht 50 për qind të vlerës së paguar me para në pagesë me letër me vlerë. Kjo vlen për veprimet e bëra para miratimit të ligjit të ri. Problem tjetër është afati, i cili po reduktohet, pasi sipas variantit të ri, përdorimi i bonove ka kohëzgjatje tre muaj. Nga statistikat mësohet se Tirana mban vëllimin më të lartë të dosjeve, mbi 80 mijë dhe premtimi nga zyrtarët e ALUIZNI-t është për mbyllje të procesit brenda muajit dhjetor. Në planet e Agjencisë së Legalizimeve është krijimi i një grafiku për të shpërndarë lejet.

Shkurt
Ndryshimi në ligj, ulet pagesa me bono nga 80 në 50 për qind

Qeveria, në ndryshimet e fundit që i ka bërë ligjit “Për futjen në përdorim të letrave me vlerë në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale”, - i ka bërë atij edhe një zbritje të masë së pagesë me këto letra. Ligji i mëparshëm, por që nuk u zbatua asnjëherë, përcaktonte qartë se legalizimi i ndërtimit do të kryet deri në masën 80 për qind me bonot e privatizimit kur objekti, është për efekt banimi. Ndërsa në masën 50 për qind kur ndërtimi që legalizohet përdoret për efekt biznesi, social apo ekonomik. Por ndryshimet e reja në ligj bënë që edhe për objektet e banimit, pagesa me bono të jetë jo më 80 por vetëm 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Sipas Berishës, është përcaktuar një afat kohor prej tre muajsh për ata persona që ndërtimet e paligjshme i ka paguar me para. Brenda këtij afati, këta persona mund të bëjnë një kërkesë në zyrat e ALUIZNI-t dhe të mund të paguajnë me bonot e privatizimit, duke rimarrë kështu paratë e dhëna për legalizimin. Një proces i tillë u bë i mundur menjëherë pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve në ligjin për legalizimin e zonave informale. Futja në treg e letrave me vlerë për ndërtimet pa leje, do të ndihmojë të çojë përpara ketë proces, sidomos në një periudhë kur bankat kanë shtrënguar dhe rritur interesat e kredive.

Ligji i ri, pagesa me bono vetëm për tarifat e legalizimit

Sipas ligjit, të gjitha taksat dhe detyrimet financiare që rrjedhin nga kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore do të paguhen me para, ndërsa tarifa e legalizimit paguhet me letra me vlerë. Sipas ekspertëve të ALUIZNI-t, aktualisht për 70 për qind të ndërtimeve informale kanë mbaruar procedurat për kualifikimin dhe pajisjen me leje legalizimi. Ndërkohë pritet që të bëhet pagesa e këtyre detyrimeve që kanë të bëjnë me kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore. Në ligj është parashikuar që bonot e privatizimit të shpërndara për ish-të përndjekurit politikë dhe subjekteve të tjera gjatë privatizimeve të objekteve shtetërore të kenë të njëjtin trajtim me bonot e privatizimit që do të përdoren për legalizimet e ndërtimeve pa leje. Në projektligj janë parashikuar ndryshime të rëndësishme, sidomos në nenet 19, 20 dhe 21, ku parashikohet që për sipërfaqe që deri tani aplikohej tarifa në përputhje me vlerën e plotë të tregut, nuk mund të aplikohet pjesërisht pagesa me bonot e privatizimit. Në funksion të idesë së përdorimit të pagesës me bono privatizimi janë bërë ndryshime edhe në dispozitën që lidhet me dokumentacionin ligjor për legalizimin dhe ndërtimin e ndërtesave informale, ku është parashikuar që subjekti mund të paraqesë kërkesë për mënyrën e pagesës për legalizimin e ndërtimit pa leje.

Vlera totale e bonove të privatizimit, sa janë në qarkullim

Sipas të dhënave zyrtare, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave i janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Nga këto janë përdorur deri tani në proceset e privatizimeve 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Bonot e privatizimit mund të përdoren për qëllimin me të cilin janë emetuar deri më 31 dhjetor të vitit 2010. Kështu hyrja në fuqi e ligjit për përdorimin e bonove të privatizimit në procesin e legalizimit, ka nisur që të rrisë vlerën e tyre në tregun e lirë. Ky vendim duket se favorizon ata individë, të cilët kanë përfituar më shumë nga zënia e pronës së ish-pronarëve legjitimë, pasi ul ndjeshëm faturën e pagesës sepse aktualisht një bono privatizimi 100 mijë lekëshe blihet në treg me vetëm 14.5 për qind të vlerës së saj. Para zgjedhjeve, kur u propozua ky ndryshim ligjor nga 3-4 për qind që shiteshin në treg këto letra, përqindja u rrit në 10 dhe tashmë ka shkuar në 14.5 për qind dhe me hyrjen në fuqi të ligjit, do të rritet edhe më tepër.

18 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›