E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta nënshkruan marrëveshje 7.3 milionë dollarëshe me ambasadorin japonez

Zëvendëskryeministri i vendit, Ilir Meta, ka zhvilluar dje një takim me ambasadorin e Japonisë, Hiroyasu Ando, me të cilin nënshkroi një marrëveshje që kap shifrën e 7.5 milionë dollarëve që do të përdoren për përmirësimin e pajisjeve mjekësore në spitalet e urgjencës. Gjatë takimit u bisedua në lidhje me forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik dypalësh, ku një vend të veçantë zuri diskutimi mbi mbështetjen nga qeveria japoneze të projekteve në fusha të ndryshme të hartuara nga qeveria shqiptare.
Në bazë të projektit për “Përmirësimin e pajisjeve mjekësore të qendrave rajonale të urgjencës”, me vlerë 718,000,000 yen japonezë, ose 7.3 milionë USD, synohet të modernizohen pajisjet mjekësore të qendrave shëndetësore në 12 qarqe të vendit.
“Është kënaqësi e veçantë që të nënshkruajmë marrëveshjen me ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Japonisë në Shqipëri, z. Ando, pikërisht lidhur me shkëmbimin e notave për marrëveshjen e grantit prej 7.3 milionë dollarësh që qeveria japoneze jep për vendin tonë, në shërbim të modernizimit të qendrave të emergjencës mjekësore, nga e cila do të përfitojnë 12 qendra të emergjencës mjekësore në të gjithë vendin, duke i rinovuar në mënyrë të veçantë me pajisje dhe me teknologji bashkëkohore. Duke falënderuar qeverinë e Japonisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë vendit tonë deri tani, dua edhe një herë tjetër të konfirmoj vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të forcuar edhe më shumë marrëdhëniet me Japoninë”, - është shprehur pas takimit ministri Meta. Ndërsa ambasadori Ando vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve duke shtuar se Japonia do të mbështesë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. “Ne do të vazhdojmë të japim një mbështetje sa më të madhe të mundshme ekonomike për Shqipërinë në të gjitha fushat. Shqipëria është një vend shumë, shumë i rëndësishëm për Japoninë. Prandaj dhe ne do të vazhdojmë të kontribuojmë edhe më tej për Shqipërinë. Fushat përparësore të asistencës tonë në të ardhmen për Shqipërinë do të jenë: infrastruktura, bujqësia, arsimi dhe shëndetësia. Qysh nga muaji shtator i këtij viti, në Japoni ne kemi një qeveri të re, megjithatë, pavarësisht nga ndryshimi i qeverisë, politika e jashtme e Japonisë në drejtim të Shqipërisë, është dhe do të mbetet e pandryshuar”, - është shprehur ambasadori i Japonisë në Shqipëri.

18 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›