E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot PD-ja zbardh listën me 100 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar

Eljona Ballhysa
Sot pritet të bëhet publike nga selia blu lista me 100 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime brenda grupit të numërimit të votave, të cilët prej katër ditësh janë “ngujuar” në seli duke numëruar votat e 1260 delegatëve që morën pjesë në Kuvendin Kombëtar të PD-së, të mbajtur më 14 dhjetor. Burimet bëjnë të ditur se procesi i numërimit të votave ka zgjatur pasi përllogaritja e votave për secilin kandidat të propozuar është e komplikuar. Kjo për faktin se lista për anëtarë të Këshillit Kombëtar përmbante 400 kandidatë. Delegatët e Kuvendit, 1260 të tillë, kanë votuar në listën e 400 kandidatëve për 50 ose 100 prej tyre. Dhe të gjitha votat duhet të shqyrtohen dhe të mbahen shënim për çdo kandidat që ka qenë i përfshirë në listë. Burimet bëjnë të ditur se pritet që në listën fituese të bëjnë pjesë emra të rinj, që i bashkëngjiten një prej forumeve më të larta drejtuese të PD-së, si dhe emrat e bashkëpunëtorëve të kryeministrit Berisha. Madje, një prej arsyeve pse pritet që lista e fituese të zbardhet pikërisht sot është edhe se kryeministri Berisha përfundon sot vizitën treditore në Danimarkë dhe kthehet në Shqipëri.
Numërimi
Demokratët kanë marrë të gjitha masat që procesi i numërimit të jetë sa më serioz, në mënyrë që të mos lënë hapësira për kontestim të rezultateve. Nëntë anëtarët e grupit të numërimit të votave kanë punuar më orar të zgjatur në selinë e PD-së, duke u shkëputur vetëm në një orar të caktuar, sa për të drekuar. Me përzgjedhjen e 100 fituesve të Këshillit Kombëtar dhe më pas me shtimin e emrave që në bazë të statutit futen automatikisht në Këshill Kombëtar, kryetari i PD-së konstituon forumin e lartë drejtues demokrat. Por është pikërisht kryetari i PD-së, njëkohësisht kryeministër, Berisha, personi i vetëm që vendos edhe kohën kur anëtarët e Këshillit të ri do të mblidhen për të zgjedhur sipas Statutit emrat e nënkryetarëve të partisë, sekretarit të Përgjithshëm edhe pjesës tjetër të Sekretariatit të PD-së. Ende nuk dihet nëse kjo datë nga kryeministri Berisha do të vendoset brenda këtij muaji, apo në janarin e vitit të ardhshëm.
Anëtarët
Pritet që në listën e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të ketë shumë emra të rinj, duke sjellë një rinovim të kësaj strukture. Nga numërimi paraprak, sipas burimeve, pritet që në listën fituese të jenë bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit, pikërisht këshilltarët e tij. Lista e gjatë e kandidatëve fillon me Admir Dragon, këshilltar i kryeministrit, për të vijuar më pas me të tjerë emra këshilltarësh si Adriana Çela, Glori Hysi, Migena Bakalli, Mirela Tabaku, Petraq Milo e Suzana Guxholli. Listën e kandidaturave të këshilltarëve e përmbyll Ylli Asllani, ndër të paktët këshilltarë me kontribut në Partinë Demokratike. Në listën e kandidaturave shihen edhe mjaft emra zv.ministrash, dikur këshilltarë të kryeministrit Berisha, ndërsa nuk kanë fund kandidaturat me funksione drejtorë drejtorish në administratën e shtetit. Në listën e kandidaturave për Këshill Kombëtar janë përfshirë edhe zërat kundër në PD, si Aleksandër Biberaj apo Besnik Mustafaj. Por, në këtë listë mungon emri i Preç Zogajt, i cili në zgjedhjet e 28 qershorit garoi për një tjetër parti, ashtu si edhe emri i ish-Ministrit të Shëndetësisë, Maksim Cikuli, aktualisht këshilltar i Presidentit të Republikës. Në këtë listë radhiten formalisht edhe ish-deputetë, përveç Sali Shehut, që kundërshtoi disa projekte te qeverisë dhe që shpesh herë u etiketuan si mbështetës të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në listën e kandidaturave për anëtarë të Këshillit Kombëtar janë përfshirë edhe emrat e ministrave aktuale, deri edhe Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Në listë janë përfshire edhe emrat e drejtuesve të ish-Partisë Demokrate të re, Genc Pollo, Tritan Shehu dhe Eno Bozdo. Listës së kandidaturave i bashkëngjitet edhe emri i këngëtares, Çiljeta Xhilaga, për të cilët kryeministri Berisha uroi të rezultojë fituese pasi është një demokrate e flaktë.

18 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›