Rama: Në 2010-n do të shpërthejë kriza ekonomike në familjet shqiptare
Kreu i PS-së: “E drejta për të votuar lirisht e për të parë votën është e drejtë themelore”
Stacioni tjetër i turit të protestave nga Partia Socialiste, me moton: “Hap kutitë, ose largohu!”, ka qenë qyteti i Elbasanit. Kjo është ndalesa e tretë e socialistëve pas protestave të zhvilluara në Durrës dhe Berat. Socialistët gjykojnë se janë disa arsye madhore që i kanë detyruar të dalin në rrugë për të shprehur protestën e tyre ndaj qeverisë. Si faktorë kryesorë të protestave të tyre ata nxjerrin qeverisjen e paaftë dhe të korruptuar të kryeministrit Berisha, si dhe nëpërkëmbjen e standardeve më minimale të demokracisë në vend. Mosplotësimi i kushtit kryesor për hapjen e kutive ka bërë që opozita të mos e ndryshojë qëndrimin për bojkotin e Kuvendit me gjithë thirrjet e herëpashershme të maxhorancës dhe të ndërkombëtarëve. Lideri socialist, Edi Rama, që nga Elbasani ka ashpërsuar tonet ndaj kreut të qeverisë duke e akuzuar atë si “shkaktarin kryesor të krizës që po pëson demokracia në vend, si shkaktar të krizës së rëndë ekonomike dhe cenimit të rëndë të autonomisë së pushtetit vendor”.
Duke e vënë theksin në atë që ai e quajti krizë të thellë ekonomike të vendit, kreu socialist Rama renditi disa argumente që, sipas tij, japin një tablo të zymtë të situatës ekonomike dhe sociale, siç është rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e taksave ndaj biznesit të vogël, si dhe monopolet qeveritare, të cilat diktojnë çmimet në treg. Rama theksoi në fjalën e tij vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund betejën për hapjen e kutive të votimit, që do të përmbyllet vetëm me largimin e kryeministrit Berisha.
“Ne protestojmë sepse Shqipëria që jeton jashtë oborrit të familjes në pushtet, e ka të pamundur të festojë për Krishtlindje dhe Vit të Ri. Në vend që të festojë, kjo Shqipëri po përballet me mosmarrje të rrogës së vigjiljes së Vitit të Ri. Ja pse protestojnë ne. Në vend që të presim festat për të kaluar ca ditë e net të ngrohta me fëmijët, nipërit e mbesat tyre, 540 mijë pensionistët e këtij vendi presin me drithërimë janarin, kur nën derë do t’ju hyjë fatura e re e energjisë. Ja pse protestojmë ne. Në vend që të festojnë edhe ata si gjithë të tjerët, 46 mijë invalidë, të harruar në këtë vend, kanë muaj që nuk marrin atë që u takon me ligj. Ja pse protestojmë ne. Në vend që Krishtlindjet dhe Viti i Ri të sillnin pak më shumë gëzim për 800 mijë shqiptarët e pasiguruar, ata kanë marrë lajmin se për çdo trokitje te mjeku do të paguajnë deri në 5 herë më shumë. Ja pse protestojmë ne”, - theksoi Rama në fjalën e tij.
Ekonomia
Sipas kreut të PS-së, viti 2010 do të jetë viti i shpërthimit të krizës në familjet shqiptare, ndonëse PS-ja e paralajmëroi Berishën prej kohësh dhe bëri thirrje publikisht që të merrte masa antikrizë për të mbrojtur popullin, dhe jo të bënte “rrush e kumbulla” paratë e popullit, për të mbledhur vota për veten e tij. Rama nënvizoi se fatkeqësisht, Berisha nuk e dëgjoi as kambanën tonë dhe as kambanën e FMN-së, por u përpoq që të fshehë krizën, duke shtuar dramatikisht pasojat e krizës, duke thelluar borxhet për hesap të pushtetit të tij, duke bërë shpenzime të pafrenuara, para dhe gjatë fushatës elektorale, për hesap të pushtetit të tij. “Atyre që mblodhi përdhunisht në sheshin ‘Skënderbej’, me urdhër të paligjshëm drejtorësh dhe lista apelesh apo të konvikteve të Enverit, me autobusë e trena, nga të katër anët, duke bërë tym 4 milionë euro për të bërë gjysmë ore miting kundër opozitës, sot Sali Berisha u merr lekët e Vitit të Ri nga xhepi, sepse s’ka lekë në arkën e zbrazur për karrigen e tij më 28 qershor; u merr edhe shpërblimin e merituar, sa një rrogë për punën që kanë bërë një vit dhe u qesh si Xhokeri i Batmanit, duke u dhënë vetëm një lëmoshë, pasi u ka premtuar 1000 dhurata marramendëse kur u mori votën”, - ka theksuar Rama. Sipas tij, viti 2010 do të jetë viti kur qytetarët shqiptarë, që të gjithë, të majtë e të djathtë, socialistë e demokratë, të gjithë përveç atyre që jetojnë rreth oborrit të familjes në pushtet, apo që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të, do të paguajnë faturën e përballueshme të politikës së gënjeshtrave, të borxheve pa logjikë, të shpenzimeve pa fre, të korrupsionit të këtij kryeministri që ua ka bajatosur njerëzve politikën me gjithë televizorin. Kryesocialisti komentoi se marrëzia për pushtet të përjetshëm dhe për para të madhe, korruptimi i pushtetit ia ka shterur energjitë ekonomisë shqiptare dhe ka provokuar një rënie agresive ekonomike, e cila sapo ka filluar dhe me ndihmën e Zotit kaloftë me pak dhimbje që mos t’u ngjajë atyre të mëdhave të këtyre 19 viteve të sundimit të politikës së vjetër.
Kutitë
Ndërsa ripërsëriti thirrjen drejtuar kreut të qeverisë për të hapur kutitë e votimit, duke theksuar se në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e lirë e shqiptarëve, por edhe dalja e vendit nga kriza, Rama theksoi se Berisha nuk do të mund ta trembë opozitën me shpifje e kërcënime. “Nuk mund ta shpallësh opozitën mafie në mes të Europës në vitin 2010. Nuk mund t’i tregosh opozitës darët e ligjit ti që je zhytur kokë e këmbë në korrupsion. Nuk e ka fajin opozita për miliona euro të varrosura në Kalimash, për viktimat e Gërdecit. Nuk e ka fajin për minierat, fushat, lumenjtë, ku korrupsioni ka shtrirë kthetrat e veta për të pushtuar gjithçka për përfitimet e disa njerëzve”, - u shpreh Rama.
Sipas kryesocialistit, Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur jo vetëm për vjedhjen e votave, por edhe për mohimin e të drejtës së popullit për të parë votën e tyre. “Sali Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur se ka ndaluar hapjen e kutive të votimit ku mban peng të ardhmen e shqiptarëve. E drejta për të votuar lirisht e për të parë votën është e drejtë themelore, të cilën do ta kërkojmë me forcë në çdo shesh, deri në lirinë e vërtetë të zgjedhjeve, deri në largimin e Sali Berishës”, - theksoi Rama.
18 Dhjetor 2009