E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave: Kemi para, pagat dhe shpërblimet do të jepen në kohë

TIRANË - Qeveria do të paguajë të gjithë pagat dhe shpërblimet e fundvitit në kohë dhe sipas ligjit. Ministria e Financave reagoi dje pas zërave për shtyrjen e pagesave për pensionistët dhe buxhetorët. “Të gjitha pagesat për pagat e pensionet do të shpërndahen sipas ligjit dhe nuk do të ketë asnjë shtyrje pagese për në muajin janar”, - thuhet në deklaratën e këtij institucioni. Sipas saj, “Ministria e Financave do të paguajë brenda muajit dhjetor të gjitha shpërblimet prej 1 miliard lekësh, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, të miratuar më datë 16 dhjetor për punonjësit e administratës publike në masën 10 mijë dhe 15 mijë lekë. Titullarët e këtij institucioni sqarojnë se brenda muajit dhjetor do të kryhen pagesat për shumën 1.4 miliardë lekë, sipas vendimit të qeverisë për shpërblimin e të gjitha kategorive të pensionistëve në shumën 2500 lekë për pension, përfshirë pensionet e pleqërisë, familjare, të invaliditetit, ish-minatorët, ish-punonjësit e industrisë ushtarake dhe të gjitha kategoritë e tjera me trajtim pensioni të parakohshëm dhe trajtim të veçante financiar.
“Brenda muajit dhjetor do të përfundojnë edhe të gjitha pagesat e prapambetura prej 400 milionë lekësh për personat me aftësi të kufizuara dhe ata që përfitojnë ndihmë ekonomike”, - theksohet në njoftimin zyrtar. Ai sqaron se “gjendja financiare e llogarisë të Thesarit mundëson respektimin dhe zbatimin e plotë të buxhetit të shtetit miratuar në Parlament”, - duke shtuar se “lajmet e shpërndara për pamundësi financiare të pagimit të pensioneve, pagave dhe shpërblimeve të fundvitit, janë të rreme dhe dashakeqe”. Prej disa ditësh opozita dhe mediat kanë njoftuar mungesën e likuiditetit nga ana e qeverisë për të paguar shpërblimet dhe pagat për nëpunësit e administratës publike gjatë këtij muaji.

18 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›