E Diel, 1 Nëntor 2026

CEZ: Vendimi i ERE-s, i papranueshëm, sulm kundër investitorëve të huaj

TIRANË – Vendimi më i fundit i Entit Rregullator të Energjisë konsiderohet nga kompania që ka blerë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes i papranueshëm dhe cilësohet një sulm ndaj investimeve të huaja në vend. Kompania “OSSH” sh.a. dhe “CEZ” a.s., si zotërues i paketës kryesore të aksioneve, kundërshtoi me forcë vendimin e marrë nga Enti Rregullator i Energjisë për rritjen e tarifës së energjisë elektrike për vitin 2010 dhe vendime të tjera lidhur me të. Përmes një deklarate, blerësi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes thotë se është prezantuar i gjithë dokumentacioni dhe provat e nevojshme për të mbrojtur propozimin për rritjen e çmimit të energjisë. Madje, i janë ofruar ERE-s gjithë shpjegimet e kërkuara shtesë. “OSSH-ja do të vazhdojë të ketë një rritje të lartë të borxhit prej 20 miliardë lekësh në vitin 2009 kundrejt partnerëve të jashtëm, duke e çuar në nivelin e 25,8 miliardë lekëve. Kjo, në mënyrë të pashmangshme, do të çonte në kolaps financiar dhe më pas në falimentim të OSSH-së”, - thuhet në deklaratën e bërë publike dje nga OSSH dhe CEZ. Sipas saj, “fondet e Planit të Investimit për vitin 2010, të llogaritura në 4,3 miliardë lekë, bazohen në suksesin e aplikimit fillestar të tarifave”. “Është shumë e qartë se në këtë situatë bankat nuk do të jenë të gatshme të financojnë OSSH-në, pasi OSSH nuk do të jetë në gjendje të paguajë kreditë për shkak të treguesve negativë”, - thuhet në deklaratën zyrtare. Kompania thotë se “studimi mbi humbjet, i përgatitur nga një auditor i pavarur, i përzgjedhur nga vetë Enti Rregullator i Energjisë dhe OSSH, për habi nuk u pranua nga ERE. “Për këtë arsye, ne e konsiderojmë që nuk ka një studim të saktë mbi këtë gjë dhe se vendimi i ERE-s mbi tarifat, i datës 15.12.09, nuk është në përputhje me Deklaratën Rregullatore”, - thotë CEZ-i. “Ne e kuptojmë që të gjitha palët në sektorin e energjisë në Shqipëri kanë nevojë për fonde, për punët e tyre, mirëmbajtjen dhe investimet, por vendimin e ERE-s për rritjen dramatike, në favor të KESH-it (26%) dhe OST-së (20%) dhe rritjen shumë të vogël për OSSH-në (7.1%) ne e gjejmë të pabalancuar”, - shprehen drejtuesit e kompanisë koncesionare. Ata theksojnë se këtë veprim e “shohin si një sulm kundër investitorëve të huaj në vend, gjë që është krejtësisht e papranueshme”. Përmes qëndrimit të djeshëm theksohet se “OSSH-ja do të përdorë të gjitha hapat e mundshëm ligjorë për të mbrojtur interesat e konsumatorëve të OSSH-së dhe aksionerëve të vet, duke ndërmarrë hapa ligjorë brenda dhe jashtë vendit, si dhe përdorimin e garancisë së dhënë nga Banka Botërore. “Ne do të kërkojmë të caktohet një auditor i ri për humbjet dhe insistojmë fuqishëm që baza për vendimin mbi tarifat të jetë studimi mbi humbjet në mënyrë që vendimet të përputhen me Deklaratën Rregullatore”, - thotë CEZ. Firma blerëse e OSSH-së thotë se nuk kërkohet rritje dramatike e tarifave, por insistohet në përdorimin e duhur të mekanizmave të kompensimit, ashtu siç ishin planifikuar gjatë procesit të privatizimit.

18 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›