E Shtunë, 31 Tetor 2026

Genc Pollo, rikthimi i “djalit plëngprishës” ne Partine Demokratike



Duket se “djali plëngprishës”, Genc Pollo, po synon me forcë rikthimin në gjirin e Partisë Demokratike, nga e cila u largua me bujë në vitin 1999. Nënkryetari i Partisë Demokrate të Re, Tritan Shehu, ka bërë të ditur dje synimin e hapur të PDR-së për t’u bashkuar me demokratët. “Ne jemi të hapur realisht për të gjetur forma të reja bashkëpunimi me PD-në, gjithmonë e më të ngushta, përfshi këtu dhe një bashkim të plotë të dy forcave tona politike. Në këto periudha të qeverisjes së përbashkët dhe të një koalicioni me PD-në, gjithmonë e më tepër ka një afrim dhe sinkronizim të programeve, formave të organizimit dhe bashkërendimit të luftës politike”, - është shprehur Shehu. Ai theksoi se fakti i emërimit të kreut të PDR-së, Genc Pollo, në postin e zëvendëskryeministrit, shton më tej shpresat për një bashkim të mundshëm midis dy forcave politike. “Tashmë ky vullnet ekziston edhe nga PD-ja dhe u mbetet atyre ta konfirmojnë këtë gjë. Janë të gjitha hapësirat drejt një afrimi akoma më të madh mes PDR-së dhe PD-së, tashmë që diferencat mes nesh realisht nuk ekzistojnë dhe kur qëllimet tona për të ardhmen janë të njëjta”, - është shprehur Shehu. Genc Pollo dhe Tritan Shehu u larguan nga Partia Demokratike në vitin 1999. Këtë vit Pollo hodhi kandidaturën për postin e kryetarit të PD-së në kuvendin e kësaj partie. Por një ditë para zgjedhjeve Pollo tërhoqi kandidaturën duke u shprehur se nuk kishte gjetur kushte për një garë të ndershme midis tij dhe Berishës. Bashkë me Pollon nga PD-ja u larguan dhe figura të tjera si Tritan Shehu, Nard Ndoka, Leonard Demi e Ferdinand Xhaferaj. Në vjeshtë të vitit 1999 Pollo krijoi një lëvizje brenda Partisë Demokratike, e cila u quajt lëvizja reformatore, që rezultoi e dështuar. Në zgjedhjet e vitit 2001 Pollo krijoi Partinë Demokrate të Re, e cila arriti të merrte 5.2% të votave dhe u përfaqësua në Kuvend me 6 deputetë. Gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet e tij me Berishën kanë qenë tejet të acaruara. Kreu i PD-së e akuzoi Pollon për përdorim të siglës së PD-së në zgjedhje. Por në zgjedhjet e vitit 2005 “gjakrat” midis PD-së dhe PDR-së u ftohën, aq sa Berisha e Pollo nënshkruan një marrëveshje paraelektorale bashkëpunimi. Pas zgjedhjeve Berisha e emëroi Pollon një postin e ministrit të Arsimit. Por, gjatë tre viteve të qeverisjes nga PDR-ja u larguan një numër i madh deputetësh, si Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Ferdinand Xhaferaj etj. Kjo parti mbeti vetëm me dy deputetë në Kuvend dhe një pjesë e anëtarësisë së saj u bashkua me Nard Ndokën, i cili mori drejtimin e Partisë Demokristiane. Emërimi i Pollos së fundi në postin e zëvendëskryeministrit, ka shtuar shpresat e reformatorëve për një bashkim me PD-në.

5 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›