ALUIZNI ndan sot në Tiranë 6620 tapi për shtesat në pallate
Agjencia e Legalizimeve do të organizojë gjatë paradites së sotme një takim në hotel “Rogner”, ku pritet të ndajë tapitë për rreth 6620 apartamente, lokale dhe garazhe të ndërtuara në mënyrë informale, por që me marrjen e lejes së legalizimit ligjërohen duke u futur në treg. Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar ndarja e tapive të objekteve informale në qytetin e Shkodrës, nga e cila kanë përfituar 150 familje, që kanë marrë tapinë për banesën e tyre. Në takimin e organizuar ka marrë pjesë drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, prefekti i Qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, kryetari i Këshillit të Qarkut, Gjovalin Kolombi dhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, në këtë takim tha se procesi po ecën sipas të gjitha hapave ligjorë dhe tashmë janë gati lejet për mijëra objekte informale në të gjithë vendin. Gjithashtu Memia theksoi se tashmë u takon qytetarëve që të shlyejnë të gjitha detyrimet për t’u pajisur me lejen e legalizimit.
Në qarkun e Shkodrës janë deklaruar 18 000 objekte informale nga të cilat për 12688 janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhornimi i tyre. Për 8627 objekte është kryer e gjithë procedura ligjore, tashmë ato janë të dixhitalizuara dhe janë të gatshme për qytetarët, të cilët mund të shkojnë të pajisen me lejen e legalizimit, pasi të kenë shlyer detyrimet financiare për objektin sipas ligjit.
12 Mars 2009