E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja kërkon gjatë debatit në Komisionin e Medias shkarkimin e KKRT-së



Raporti i KKRT-së është shoqëruar dje me debate të ashpra mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në Komisionin Parlamentar të Medias, ku socialistët kanë kërkuar shkarkimin e KKRT-së aktuale. Palët janë paraqitur në komision me dy rezoluta të ndryshme, njëra për punë të suksesshme dhe tjetra për një veprimtari nën tutelën politike. Për mazhorancën rezoluta është prezantuar nga deputeti Safet Sula i PD-së, sipas të cilit puna e bërë nga KKRT-ja ka qenë shumë e mirë dhe në përputhje të plotë me ligjin. Krejt ndryshe e ka prezantuar situatën në rezolutën e opozitës deputeti socialist Alfred Dalipi. Sipas tij, KKRT-ja aktuale nuk po realizon misionin e saj bazë, nuk ka profesionalizëm dhe pavarësi në punën që bën. Jo vetëm kaq, por ai ka shtuar më tej se ajo po bëhet pengesë për tregun e transmetimeve dhe një pengesë e madhe për rolin e medias.
Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare, opozita në Komision deklaroi se Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit është një institucion i politizuar, i njëanshëm e në shërbim të qeverisë. Si shembull të këtij konstatimi, deputetët e majtë përmendën lejimin e spoteve publicitare që reklamojnë punën e kabinetit qeveritar në prag të fushatës zgjedhore. Kjo, sipas opozitës, është shkelje e pastër e ligjit. Nga ana tjetër, relatori i djathtë, Safet Sula, tha se kjo çështje po politizohet në mënyrë të panevojshme. Sipas tij, nuk ka asnjë vërejtje për punën e KKRT-së, në raportet ndërkombëtare, madje as ankesa nga vetë operatorët radiotelevizivë.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›