E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i legalizimeve. PS-PD, debat në Komision për cenimin e Kushtetutës

Deputetët e opozitës kundërshtojnë ndryshimin e ligjit të legalizimeve. Dervishi: “Qeveria kërkon të mbyllë me shpejtësi një proces të dështuar”

Eljona Ballhysa
Demokratët kanë miratuar të vetëm dje ndryshimet në ligjin e legalizimeve, të diskutuara në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Socialistët kanë kundërshtuar draftin e PD-së duke argumentuar se neni i propozuar për ndryshim është i njëjtë me nenin që rrëzoi Gjykata Kushtetuese pak kohë më parë, duke e cilësuar atë shkelje të Kushtetutës. Drafti i PD-së synon kalimin e kompetencave të bashkive në shqyrtimin e dokumentacionit të objekteve informale tek Agjencia e Legalizimeve. Deputetët e PS-së e cilësuan këtë shkelje të Kushtetutës, pasi e drejta ekskluzive për t’u marrë me territorin i përket pushtetit vendor, dhe jo qeverisë apo agjencive të varura prej saj.
Debati
“Ju jeni njohur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shfuqizimin e disa neneve të ligjit për legalizimin e zonave informale. Projekti i paraqitur sot nuk është gjë tjetër veçse një perifrazim i të njëjtit nen të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Thelbi është i njëjtë me atë që ka neni i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, është thënë e njëjta gjë, por me fjalë të tjera. Ndërkohë është bërë edhe një ndërhyrje, sipas së cilës, kriteret sesi do të veprojë ALUIZNI kur të marrë kompetencat e pushtetit vendor, të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kuptohet që Këshilli i Ministrave është organ qendror dhe ALUIZNI është një organ në varësi të tij. Ajo që ndodh me këtë nen që propozohet është thelbi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi nenin e kontestuar të këtij ligji, duke e cilësuar atë cenim të kompetencave të qeverisjes vendore, sepse koncepti i planifikimit të territorit hyn në funksionet e veta të organeve të qeverisjes vendore”, - është shprehur socialisti Besnik Dervishi gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Ai u shpreh se edhe nëse PS-ja e rikthen këtë ligj në Kushtetuese, sërish do të rrëzohej neni i miratuar nga demokratët. Ai tha se deri në një vendim të dytë të Kushtetueses qeveria do ta ketë mbyllur procesin e dështuar të legalizimeve, i cili po bëhet me shpejtësi, sipas Dervishit, për arsye elektorale. “Koha që do t’i duhet Gjykatës Kushtetuese për ta rishqyrtuar do të bëjë që deri në datën e zgjedhjeve të mbyllen ato premtime e mashtrime për procesin e legalizimeve, por në fund të fundit nuk do të sjellë asnjë titull ligjor”, - është shprehur Dervishi. Edhe socialisti Majko argumentoi në të njëjtën linjë votën kundër të socialistëve. “Gjykata ka konkluduar se planifikimi urban dhe menaxhimi i tokës janë kompetenca të plota dhe ekskluzive të autoriteteve vendore. Kjo që keni sjellë është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, - tha Majko. Ndërkohë, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, tha se “projektligji bën fjalë për procesin e legalizimit, nuk bën fjalë për administrimin e rregullt të territorit, që u përket si kompetencë bashkive dhe komunave. Kështu që referencat që ju i jepni një gjëje tjetër nuk mund të jetë bazë për arsyetimet për këtë çështje, që është e veçantë”, - tha Rusmali.
Drafti
Drafti parashikon kalimin e kompetencave nga pushteti vendor te Agjencia e Legalizimeve në rast se zyrat e urbanistikës dhe këshillat e qarqeve nuk dorëzojnë brenda afateve dokumentet që vërtetojnë aplikimet për ndërtimet e paligjshme. Opozita e ka kundërshtuar këtë ndryshim në ligj, duke kujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, disa muaj më parë hodhi poshtë kalimin e kompetencave nga vendorët te ALUIZN-i për procesin e legalizimeve. Sipas Gjykatës Kushtetuese, “ndryshimet ligjore që i janë bërë ligjit të mëparshëm e kanë zhveshur pushtetin vendor nga disa prej kompetencave të tyre, që në kuptim të Kushtetutës, të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore si dhe jurisprudencës kushtetuese, cenojnë parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore”. Sipas Gjykatës Kushtetuese, “ligji për Legalizimet i ka dhënë Agjencisë Shtetërore edhe kompetencat e mirëfillta që kishte më parë pushteti vendor, siç ishte dhënia e lejes së shfrytëzimit për ndërtimet”.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›