E Diel, 1 Nëntor 2026

ALUIZNI, probleme me zonat kadastrale dhe vijat e verdha

06/04/2010 Nis procedura e pagesave me letrat me vlerë

ELBASAN- ALUIZNI në Elbasan ka ngritur shqetësimin e mungesës së regjistrimit të zonave kadastrale dhe mungesës së vijave të verdha në disa zona. Kjo mungesë pengon edhe procesin e legalizimit për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit. Drejtoresha e ALUIZNI-t, Elbasan Mimoza, Trimi tha gjatë takimit me prefektin se ka disa zona në Bashkinë e Elbasanit që nuk janë futur në këtë proces dhe që sjellin probleme për vazhdimin e procesit të legalizimit. “Në punën tonë të përditshme hasim në problemin e pazgjidhur të zonave kadastrale të pafutura në sistemin e regjistrimit. Vetëm në Bashkinë Elbasan, nga 7 zona kadastrale, 5 nuk janë futur në procesin e regjistrimit dhe kjo bën që pavarësisht gatishmërisë së ZVRPP për të na dhënë informacion, ky nuk është në nivelin e kërkuar. Po kështu tokat e ndara me ligjin 7501 duke mos qenë të regjistruara në ZVRPP mbeten me aktin e marrjes në pronësi nga Komisionet e Ndarjes së Tokave dhe në punën tonë nuk përbëjnë akte të finalizuara procesi dhe ne nuk mund të procedojnë deri në fund për të dhënë lejen e legalizimit”. Ndërkohë Trimi ngre edhe një tjetër problem që ka lidhje me përcaktimin e vijave të verdha. Sipas saj, ky problem është i theksuar në disa njësi dhe pengon procesin. “Problem i vjetër dhe i pazgjidhur mbetet mungesa e vijave të verdha. Kjo më e theksuar në rrethin e Librazhdit, disa fshatra në rrethin Elbasan dhe totalisht në komunat e rrethit të Gramshit”, theksoi drejtoresha e Agjencisë rajonale të Legalizimeve.

Ndërkohë ajo ka theksuar faktin se vënia në përdorim e pagesës së truallit me letrave me vlerë do t’i japë një hop pagesave të truallit të ndërtimeve pa leje dhe ALUIZNI është i përgatitur me gjithë infrastrukturën e nevojshme që tu shërbejë qytetarëve në këtë proces. Deri tani janë shpërndarë mbi 360 leje legalizimi dhe janë hipotekuar mbi 340, ndërsa 20 të tjera janë në proces regjistrimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›