E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët e spitalit të Gjirokastrës protestë ndaj një ndërtimi pa leje

06/04/2010 Cenon funksionimin e spitalit

GJIROKASTËR - Stafi mjekësor i spitalit rajonal “Omer Nishani” të Gjirokastrës kanë protestuar pasditen e djeshme ndaj ndërtimit të një pallati shumëkatësh pranë pjesës jugore të këtij institucionit. Mjeku ortoped Murat Kaçi, thotë se ky ndërtim cenon jo vetëm pronën shtetërore, por edhe funksionimin normal të një institucioni shtetëror spitalor, siç janë disiplina dhe qetësia që duhet të mbizotërojnë në këto ambiente. Kaçi ka theksuar se tolerimi i mëtejshëm i kësaj situate, po e kthen sipërfaqen që rrethon spitalin në një qendër tregtare. “Bashkia e Gjirokastrës dhe Inspektorati i Ndërtimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë kanë qëndruar indiferente karshi këtij shqetësimi”, tha Kaçi. Genci Sinoimeri, drejtori i spitalit, pohon se hap pas hapi subjektet private po cenojnë territorin e institucionit shëndetësor. Sipas tij, pallati ka vite që ka nisur ndërtimin, duke shkatërruar murin rrethues të spitalit, por ankesat e drejtuesve të ndryshëm për këtë fenomen, nuk janë marrë parasysh nga askush. “Stafi drejtues i spitalit ka marrë kontakt me të gjitha institucionet që kanë të drejtën ligjore për të ndërhyrë në rastin e ndërtimeve pa leje, por askush nuk e ka vënë ujin në zjarr”, shprehet Sinoimeri. Në përpjekje për zgjidhjen e këtyre shqetësimeve, Sinoimeri ka vlerësuar edhe qëndrimin e stafit mjekësor të spitalit. Lidhur me këtë problem ka reaguar edhe pushteti vendor. Vangjel Muço, nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, është shprehur, se pas njoftimit nga institucioni i shëndetësisë në terren kanë nisur verifikim dhe në rast se konstatohet shkelje, atëherë pushteti vendorë do të ndërhyjë për të normalizuar situatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›